0030 210 33 18 483

Lejet për arsye të jashtëzakonshme tashmë vetëm në Periferi

08 Shkurt 2016

Një kërkesë këmbëngulëse e organizatës “Arogji-Përkrahje” është bërë më në fund realitet. Gjithë emigrantët që duan të aplikojnë për leje të jashtëzakonshme, nuk do të marrin rrugën e mundimshme për ta bërë aplikimin në ministrinë e brendshme (zyrat në Pire). Por tash e tutje, të gjithë, pa përjashtim, do të mund të aplikojnë në periferitë e vendbanimit. Kjo risi tepër pozitive, përfshihet në një projektligj të ministrit alternat për politikën e emigracionit, që është dhënë për diskutim publik në platformën opengov.gr. Projektligji do të qëndrojë i afishuar në platformën në fjalë deri më 10 shkurt, pastaj do të bëhen përmirësimet eventuale dhe do të jepet për publikim në Gazetën Zyrtare, me ç’rast do të marrë dhe fuqi ligjore. Nisur nga fakti se projektligji trajton më së shumti çështje që kanë të bëjnë me trajtimin e refugjatëve që mbërrijnë me mijëra në ditë në brigjet greke, konsiderohet normale se zbatimi i ligjit do të fillojë sa më shpejt. Duhet thënë se në bazë të ligjit ekzistues, aplikimet bëheshin në dy adresa: në ministrinë e brendshme ata që nuk kishin patur kurrë më parë leje qëndrimi, dhe në periferitë ata që kishin patur qoftë dhe një herë leje qëndrimi. Tashmë, edhe ata që nuk kishin patur kurrë leje, do të aplikojnë në periferi. Kjo është një masë që i ndihmon jashtëzakonisht emigrantët, po të marrim parasysh se ata ishin të detyruar të vinin nga ana e anës, që nga Kreta e Maqedonia, deri nga Epiri e ishujt, për të bërë aplikimin në zyrat e ministrisë së brendshme në Pire. Kujtojmë se ka qenë organizata e emigrantëve “Arogji-Përkrahje”, që ka kërkuar vazhdimisht ndryshimin e praktikës së deritanishme. Për herë të fundit ishte kreu i Arogjisë, Fatos Malaj, që ia argumentoi këtë kërkesë sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së brendshme Vasilis Papadopulos. Pas këtij takimi, që ishte zhvilluar më 22 dhjetor 2015, Fatos Malaj ishte pyetur nga Tribuna se cili ishte reagimi i sekretarit të përgjithshëm. “Ishte një përgjigje shumë pozitive, sepse sekretarit ia kemi parashtruar këto kërkesa edhe më përpara, por tani pashë se ishte shumë i përkushtuar që të zgjidhej kjo çështje. Kështu që besoj se do t’ia arrijmë qëllimit”. Tashmë ky qëllim u arrit dhe Arogjisë i takon një përgëzim.... Projektligji Në tekstin e projektligjit, te neni 16, ku përmbahet edhe rishikimi i nenit 19 të ligjit 4251/14 (Kodi i Emigracionit), shihet qartë se kompetencat për gjithë aplikimet i kalojnë administratës së decentralizuar (periferisë) dhe shërbimit të shtetasve të huaj dhe emigracionit. Kujtojmë se në ligjin e mëparshëm neni përcaktonte përveç periferisë, edhe ministrinë e brendshme. Kjo tashmë nuk përmendet më. Ja çfarë thuhet shprehimisht në nenin 19: “1.Koordinatori i Administratës së Decentralizuar (Periferia, shënimi ynë), mundet që akordojë leje qëndrimi me afat dy vjet për qytetarë të vendeve të treta që banojnë në Greqi dhe që dëshmojnë se kanë krijuar lidhje të fuqishme me vendin. Aplikimi për pajisje me leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme shqyrtohet vetëm nëse i interesuari paraqet: a)Vizë hyrëse për në Greqi, lëshuar nga autoriteti konsullor grek të paktën tre vjet para aplikimit për leje qëndrimi, ose b)Titull përfundimtar qëndrimi (oristikos titlos), pçavarësisht nga autoriteti që e ka lëshuar, vlefshmëria e të cilit ka skaduar gjatë dhjetëvjeçarit të fundit para aplikimit, ose c)Dokumente që dëshmojnë se ka krijuar lidhje veçanërisht të fuqishme me Greqinë që e bëjnë të nevojshëm qëndrimin e tij brenda kufijve të territorit grek. Nuk janë të nevojshme kërkesat e pikave a dhe b, në rast se i interesuari dëshmon me dokumente të sakta kronologjikisht, se ka qëndruar në Greqi në vazhdimësi të pakën shtatë vjet, ose është prind i një fëmije të mitur me nënshtetësi greke”. Vërtetimi të mbron nga policia Në momentin e aplikimit, nëse dokumentacioni që kërkohet është i saktë, i interesuari pajiset me një vërtetim, që shkruan se posedimi i këtij vërtetimi e mbron emigrantin nga deportimi (apelasi) deri në momentin që do të marrë përgjigje për aplikimin e tij. Kjo përcaktohet në paragrafin 2 të nenit 19, ku thuhet: “Në rastin e dorëzimit të aplikimeve nga qytetarë të vendeve të treta që përmbushin kushtet e pikave a dhe c, shërbimi kompetent i jep një shënim ku thuhet se nuk lejohet shpallja e një vendimi për kthimin e emigrantit në vendin e tij”. Por KUJDES: Në rast se nuk përmbushen kërkesat, atëherë emigranti rrezikon, edhe pse e ka bërë aplikimin. Më tej, në paragrafin 2 përcaktohet: “Në rast se nuk përmbushen kërkesat formale për shqyrtimin e aplikimit, vetëm dorëzimi i këtij aplikimi, nuk e mbron të interesuarin nga vendimi për kthimin e tij”. Të interesuarit mund ta lexojnë gjithë projektligjin në greqisht, duke klikuar në adresën e mëpotshme. http://www.opengov.gr/ypes/?p=3471

Ndaje me miqte