0030 210 33 18 483

Ligji i luftës me Greqinë Bushati optimist për zgjidhjen

Top Channel 20 Dhjetor 2017

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, është shprehur optimist për avancimin pozitiv të marrëdhënieve Shqiptaro-Greke që nga takimi i Kretës. Bushati vlerëson si zgjidhje të pritshme efektive abrogimin e ligjit të luftës me një akt ekuivalent si dekreti mbretëror me të cilin ky ligj u vendos. “Eshtë e rëndësishme që ligji i luftës të shfuqizohet me një akt ekuivalent nga pikëpamja e të drejtës për të prodhuar të gjitha ato efekte pozitive të pritshme në praktikë”, tha Bushati, në një intervistë për Top Channel. Për shefin e diplomacisë shqiptare është e rëndësishme që dy vendet të zgjidhin një herë e mirë kapitullin me çështje nga lufta e dytë botërore. Por ç’vend zë çështja çame në këtë dosje dhe sa lidhet zgjidhja e saj me abrogimin e ligjit të luftës. “Jam partizan i politikës së hapave të vegjël por të njëpasnjëshëm. Besoj fuqimisht që shfuqizimi i ligjit të luftës do të ofrojë efekte të mira jo vetëm politike e psikologjike në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë por dhe pasoja ligjore në gëzimin e të drejtave pronësore. ?ështjet më pas praktike se si do të gëzohen këto prona ne do të jemi këtu për t’i analizuar dhe diskutuar”, tha ai. Të mërkurën qeveria shqiptare mori vendimin e dytë sa i përket çështjes së varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar. Pas protokollit që do zbatohet, varreza e Bularatit do të ketë dhe status nderi. “Sot për sot ne jemi në procesin e zbatimit të kujdesshëm të gjithë këtij procesi dhe jemi duke ezauruar fazën e luftës, apo çështjeve që burojnë nga lufta e dytë botërore”, vijon më tej ministri. Bushati pohon klimë mirëbesimi për një çështje tjetër thelbësore ajo e kufirit detar me Greqinë. I pyetur se sa i sigurt është që një marrëveshje e re detare nuk do të ketë sërish fat rrëzimin, Bushati thekson se po punohet për një marrëveshje të drejtë mes dy palëve, dhe deri në ngritjen e grupeve të punës po diskutohen gjithë opsionet. “Jemi të vendosur për të analizuar të gjitha mundësitë dhe për të shkuar më pas drejt një zgjidhje që do t’i interesojë të dyja palëve”, tha më tej Bushati.

Ndaje me miqte