Lulzim Basha: Mirënjohje e shumëfishtë për bashkatdhetarët në Greqi
09 Korrik 2016
Megjithëse mbërriti në Athinë në një orë të vonë (për shkak të vonesës së avionit), Lulzim Basha ka shkuar drejt e në zyrat e degës së partisë Demokratike për Greqinë, në sheshin Kotzias ku ndodhet edhe bashkia e kryeqytetit.
Aty e kanë pritur me shumë entusiazëm anëtarë të kryesisë dhe aktivistë të degës. Ishte një kërkesë e vetë zotit Basha që ky takim i parë të ishte me pjesëmarrje të kufizuar. Por ai ka premtuar se shumë shpejt, ndoshta edhe brenda muajit shtator, do të vijë sërish në Athinë, për t’u takuar, siç tha, “jo me dhjetra apo qindra, por me mijëra bashkatdhetarë”.
Në hapje të këtij takimi, kryetari i degës së PD për Greqinë, Fatmir Gjoçi, ka bërë një prezantim të shkurtor të punës së kryesisë dhe të anëtarësisë së PD në gjithë Greqinë. “Ky është një takim historik, pse për herë të parë presim në shtëpinë tonë një kryetar të partisë Demokratike”, ka theksuar Gjoçi, duke shtuar se demokratët shqiptarë të Greqisë po punojnë për të qenë pjesë e fitores së kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, Lulzim Basha.
Menjëherë më pas, dukshëm i emocionuar, e ka marrë fjalën kryetari i PD, Lulzim Basha.
Vijojnë pjesët kryesore të fjalës së tij:
“Së pari, dua t’ju falënderoj nga zemra për këtë pritje kaq të përzemërt, në këtë orë të vonë. Ju kërkoj ndjesë, por avioni im u nis me 45 minuta vonesë. Orarin e avionit nuk e përcaktoj unë; mirëpo jam shumë i lumtur që ndalesën e parë dhe takimin e parë e kam këtu, në shtëpinë tonë në Athinë, në degën e Partisë Demokratike të Greqisë.
U bë një kohë e gjatë që nuk kam ardhur në Greqi; me detyrat e mia zyrtare kam ardhur disa herë, kur edhe jemi takuar. Dua t’ju falënderoj nga zemra me mirënjohje, për gjithçka që keni bërë këto vite, në kushte shumë të vështira - sepse jeni në dhe të huaj. Por keni arritur që këtu të ndërtoni shtëpinë tonë, degën e PD, në këtë vendndodhje imponuese, do të thoja, jeni edhe mbi godinën e Bashkisë së Athinës...
Dua t’ju falënderoj nga zemra, jo thjesht për këtë seli - zoti kryetar Fatmir Gjoçi-, po për atë që keni bërë gjithë këto vite. Një falënderim të dyfishtë dua t’ju bëj për kontributin që dhatë në vitin 2011 për zgjedhjen time si kryetar i Bashkisë së Tiranës, në një betejë decizive. Nuk e harroj energjinë tuaj, që vibroi nga Athina në Tiranë, derisa arritëm atë fitore, në kushte që shumëkush i mendonte si të pamundura para garës. Dhe ju keni pjesën tuaj të shumëfishtë për shkak të sakrificës tuaj të gjithashtu të shumëfishtë që bëtë në 2011-n, dhe e përsëritët në 2013-n, kur sigurisht gjërat mund dhe duhej të kishin shkuar më mirë. Ju e dhatë pjesën e shpirtit në zgjedhjet e 2013-s. Pjesa e përgjegjësisë është e jona...
“Qeveria ka vrarë shpresën, detyra jonë është që ta rilindim shpresën”
I duhen shkurtuar një ditë e më parë orët këtij regjimi. Jo thjesht dhe vetëm për të sjellë PD dhe demokratët në pushtet. Po për t’i hequr lakun nga fyti shumicës dërrmuese të qytetarëve, shumicës dërrmuese të shqiptarëve, që lëngojnë. Lëngojnë dem okratët, por lëngojnë edhe të tjetër, edhe socialistët. Eshtë një grusht njerëzish, një bandë e izoluar nga pjesa tjetër e popullit, që sa vjen e pasurohet, ndërkohë që pjesa tjetër katandiset keq në të gjitha aspektet, nga biznesmeni më i madh deri tek familjet me shumë fëmijë e me prindër invalidë që nuk shohin ndihmë ekonomike; janë në ditën e tyre më të zezë në këto 25 vite. Më të zezë, jo se 25 vite kanë qenë më të pasur - me gjasë kanë qenë më të varfër. Por atëherë kishte shpresë. Kjo qeveri ka arritur të vrasë shpresën”.
Detyra juaj, detyra e çdo demokrati, është që të rilindë shpresën. Dhe këtë po e bëjmë dhe do ta bëjmë, së pari duke u përballur siç po përballemi; së dyti, duke ofruar rrugët e zgjidhjes; dhe së treti, duke bërë një organizim të hekurt, në mënyrë që asnjë vote demokrate të mos mbetet pa u hedhur.
Dhe këtu dua edhe një herë t’ju them, pa komplimente të tepërta, që unë si kryetar i PD dhe Partia Demokratike, e çmojmë sakrificën tuaj, e çmojmë. Kudo që shkoj në selitë e PD në Shqipëri unë i ndjej sakrificat e demokratëve, por sakrifica juaj është e dyfishtë. Edhe një herë ju them: Këtu jeni në dhe të huaj. ?farë ju mbledh juve këtu? A mos ka PD ndonjë zyrë punësimi për ju, mos kemi ndonjë ministri? Apo disa poste për t’jua ndarë juve? Jo. Absolutisht juve ju bashkojnë vetëm idealet, vetëm dashuria për atë vend, vetëm dashuria për njerëzit tuaj. ?farë e motivon Fatmir Gjoçin - po e marr si shembull meqë e kemi dhe kryetar të PD-së këtu-, çfarë e shtyn që të jetë natë e ditë në krye të detyrës, ndërkohë që ju i dini problemet dhe hallet familjare që ka me vjazën e tij të sëmurë e gjithçka tjetër?... Asgjë, përveç idealizmit.
Dhe për këtë dua t’ju them, dua t’ju siguroj si kryetari juaj, për mirënjohjen time të pakufijshme ndaj jush, sot si kryetar i opozitës dhe nesër si kryeministër.
Marrëdhëniet me Greqinë, propagandë e llafe, por jo zgjidhje
E rëndësishme është që jemi këtu për të hedhur bazat e një dialogu të mirëfilltë, i cili do të çojë jo drejt akumulimit apo drejt stanjacionit, por drejt zgjidhjes së problemeve bilaterale. Duke nisur nga interesat tona parësore, nga interesat e shqiptarëve të Greqisë - nga interesat tuaj-, dhe të çdokujt tjetër, edhe të atyre që nuk aspirojnë apo nuk janë pjesë e forcës tonë politike këtu në Greqi. Problemet e tjera të mbetura në këto tre vite të pluhurosura për shkak të propagandës. Propagandë e llafe ka shumë, zgjidhje zero. E mbani mend se si erdhi kjo qeveri në pushtet, me premtimin “zero probleme me fqinjët”. Tani ka ardhur te “zero zgjidhje me fqinjët”.
Unë ia kam thënë edhe ministrit të jashtëm grek, që si kryetar i opozitës dhe si kryetar i një partie që ka dhënë shumë për marrëdhëniet bilaterale Shqipëri-Greqi, besoj që përmes përmirësimit të këtyre marrëdhënieve do të përfitojnë gjithmonë e më shumë, si populli shqiptar, ashtu edhe populli grek. Por unë jam jashtëzakonisht i pakënaqur për faktin që tash tre vite po bëhet propagandë, por nuk arrithet një vepër e vetme, për të thënë që u bë kjo në të mirë të shqiptarëve, por ka vetëm llafe.
Besoj dhe shpresoj fort që përmes këtij takimi përmes kësaj ftese që i jam përgjigjur pozitivisht të kreut aktual të opozitës dhe sipas sondazheve, -pse ju i ndiqni, jeni njerëz politikë-, kryeministrit të ardhshëm të Greqisë, të hedhim bazat e një bashkëpunimi, jo thjesht si dy parti motra që aderojnë me të drejta të barabarta në partinë Popullore Europiane, por midis dy forcave politike të cilat në mënyrë të emancipuar por të vendosur, t’u japin zgjidhje problemeve që mbajnë peng marrëdhëniet shqiptaro-greke”.
Në takim përshëndeti edhe anëtari i kryesisë së PD, Tritan Shehu.
Tribuna
Ndaje me miqte