MPJ greke reagon ndaj deklaratave të kryeministrit Rama
06 Qershor 2016
Një incident i ri diplomatik ndërmjet Athinës dhe Tiranës, është regjistruar vetëm pak orë para mbërritjes së ministrit të jashtëm grek, Nikos Kotzias, në kryeqytetin shqiptar.
Deklaratat e bëra për për çështjen çame nga kryeministri Edi Rama në kongresin e PDIU, kanë shkaktuar reagimin e Athinës zyrtare.
Ministria e jashtme greke ka reaguar me anë të një komunikate për shtyp të titulluar “Mbi deklaratat e papranueshme të udhëheqjes politike shqiptare”.
Duke përdorur sërish argumentin e njohur grek, se çamët u dënuan si bashkëpunëtorë të okupatorit nazist, Athina e ndërlidh këtë fakt me kriteret që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u anëtarësuar në bashkimin Europian.
“Shqipëria duhet ta kuptojë se rruga e saj europiane varet nga zbatimi me besnikëri i pesë principeve të Bashkimit Europian, mes të cilëve është edhe respektimi i drejtësisë dhe i shtetit të së drejtës. Kjo presupozon se do të respektojë vendimet e gjyqësorit, posaçërisht kur është fjala për krime lufte “, thuhet në komunikatën e ministrisë së jashtme greke, që i referohet edhe minoritetit grek në Shqipëri.
“Në vend se të ngrejë çështje që nuk ekzistojnë, të zbatojë parakushtet dhe angazhimet sa i përket mbrojtjes së të drejtave të minoritetit autokton grek në Shqipëri”.
Por Athina zyrtare nuk ka lënë pa komentuar edhe deklaratën e kryeministrit Rama se “gara me mitet prish fqinjësinë”. Megjithëse në komunikatën e ministrisë së jashtme greke nuk përmendet asnjë emër i përveçëm.
“Civilizimi politik ndërmjet fqinjëve presupozon seriozitet, respekt ndaj fakteve të sakta të historisë dhe vizion për marrëdhëniet, të cilat nuk do të ndikohen nga shtrembërimi flagrant - me ose pa dashje-, i realitetit historik”, thuhet në komunikatën e MPJ greke, ku shtohet se marrëdhëniet duhen ndërtuar mbi themele të forta, duke garantuar progres në marrëdhëniet dypalëshe dhe do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit”.
Pavarësisht tonit të ashpër të deklaratës së MPJ greke, burime diplomatike në Athinë thanë për ABC NEWS se vizita e ministrit të jashtëm grek në Tiranë do të zhvillohet normalisht dhe sipas axhendës së dakorduar midis të dy palëve e të publikuar më herët. Burimet kanë shtuar se, edhe pse deklaratat e kryeministrit shqiptar krijojnë një atmosferë “të vështirë”, rëndësi ka vullneti për të diskutuar mbi të gjitha çështjet që shqetësojnë marrëdhëniet Athinë-Tiranë dhe anasjelltas.
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kostzias pritet të paraqesë në Tiranë një paketë propozimesh për zgjidhjen e gjithë problemeve dypalëshe, të trashëguara apo të krijuara tash vonë.
Kotzias do të takohet me homologun e tij Bushati dhe më pas do të bëjnë deklarata për shtyp.
Më pas ministri i jashtëm grek do të të pritet nga presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ndërsa një dite më vonë do të takohet me kryetarin e PD, Lulzim Basha. Më herët, të martën, Kotzias do të referojë në konferencën e UT kushtuar marrëdhënieve dypalëshe. Ministri i jashtëm grek do të takohet edhe me kryepeshkopin Anastas dhe përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri.
Tribuna
Ndaje me miqte