Malta merr presidencën e radhës në BE
Deutsche Welle
03 Janar 2017
Nga 1 janari, Malta, shteti më i vogël i BE-së, me 420.000 banorë kryeson presidencën e BE-së. Zgjidhja e krizës së migracionit, por edhe Brexit do të jenë prioritetet e saj.
Peizazhet e Maltës janë parë në të gjithë botën, edhe pse ndoshta shumë vetë nuk e dinë, se i kanë parë ato në ekranin e kinemasë apo të televizorit. Seria e parë e filmit të njohur, "Game of Throne" është luajtur në një ishull të vogël aty, edhe filmat për Konti Monte Christon, apo kodin e Da Vinçit kanë pasur si sfond inskenimesh këtë vend. Malta mbetet një vend i rëndësishëm për producentët e filmave. Anglishtja është gjuhë zyrtare krahas gjuhës malteze, në vendin që në vitin 1964 u pavarësua nga Britania e Madhe.
E vogël, por me ambicie
Njësoj si sponsorët e filmit, të suksesshme - kërkon edhe Joseph Muscat, kryeministri 42 vjeçar i vendit të prezantojë Maltën në gjashtë muajt e ardhshëm, gjatë presidencës së radhës. Socialdemokrati ndërpreu sundimin e gjatë konservator të lidhur ngushtë me kishën katolike të vendit. Sot nuk kuptohet më që ishin socialdemokratët ata që luftonin kundër anëtarësimit të Maltës në BE, vitin 2004 - Muscat është një europian model, që kërkon të bëjë kompromise në politikën e migracionit. Si edhe më parë shumë vende europiane refuzojnë pranimin e azilkërkuesve. Por vendet e para pritëse, Italia, Greqia, dhe Malta duan lehtësim. "Besoj se ka vullnet për të afruar pozicionet sa të mundemi", thotë kryeministri maltez. Do të bëjmë më të mirën që të bashkojmë pozicionet e ndryshme".
Me 420.000 banorët e saj, Malta është vendi më i vogël i BE-së. Të drejtosh për herë të parë 500 milionë banorët e BE-së është një sfidë logjistike e politike. Në shkurt vendi do të presë samitin e parë jozyrtar të krerëve të BE-së, ku do të reflektohet për krizat e shumta të BE-së. Joseph Muscat kërkon të ndalë migracionin masiv nga Afrika drejt BE-së. "E reja është se itinerari i migrantëve në pjesën qendrore të Mesdheut, është çelësi për zgjidhje, pjesë e një pakete. Kjo paketë duhet të përmbajë solidaritetin, sigurinë, sigurimin e kufijve. Mendoj që ajo që negociuam me Turqinë duhet të jetë e mundur të përsëritet në Mesdhe." Malta që ndodhet mes Italisë e Libisë në itinerarin e Mesdheut është e prekur nga migracioni, megjithëse shumë pak vetë duan të qëndrojnë në këtë vend.
Histori plot ngjarje
Për maltezët migracioni nuk është një temë e huaj, ai është pjesë e historisë. Ishujt strategjikë në Mesdhe kanë qenë gjithmonë pre e sulmeve të pushtuesve. Mijëra maltezë e braktisën vendin e tyre dhe janë shpëndarë kudo në botë. Romakët, grekët, arabët, italianët, Napoleoni, britanikët - të gjithë sunduan në Maltë dhe kanë lënë gjurmët e tyre. Sidomos në gjuhë. Gjuha malteze është një nga 24 gjuhët zyrtare të BE-së. Ajo ka rrënjë arabe, por është prekur mjaft nga ndikimi i italishtes dhe anglishtes. Edhe kisha katolike, besimin e së cilës e ndjekin më shumë se 90% e maltezëve i ka dhënë profilin e vet vendit. Vetëm në vitin 2011 u krijua mundësia ligjore për divorcin në martesë.
Por krahas migracionit edhe Brexit do të jetë temë e presidencës malteze. Nëse në mars vjen kërkesa nga Londra, është Joseph Muscat ai që do të bashkëorganizojë negociatat, që priten të jenë të vështira, siç ka bërë të ditur kryeministri. Nga ana ekonomike, ky vend nuk u godit rëndë nga kriza ekonomike dhe nuk është i mbytur në borxhe si Greqia. Me sy kritik në Bruksel, shihet që Malta u ofron firmave ndërkombëtare modele kursimi të tatimeve mjaft atraktive apo që u ofron investitorëve të pasur nënshtetësinë malteze e me këtë edhe udhëtim të lirë në BE.
Ndaje me miqte