0030 210 33 18 483

Marrja e nënshtetësisë greke javën e ardhshme dispozitat e reja

27 Mars 2015

Qeveria e Aleksis Tsipras, në realizim të një premtimi elektoral, siç theksohet, ka vendosur të risjellë në fuqi dispozitat për marrjen e nënshtetësisë greke nga fëmijtë e emigrantëve. Këto dispozita janë pjesë e një drafti që javën e ardhshme do të jepet për konsultim publik, me qëllim që t’i kalojë sa më shpejt parlamentit për miratim. Lajmi është dhënë nga ministri i brendshëm, Nikos Voutsis, që ka theksuar se ky do të jetë projektligji i parë që do të paraqitet nga superministria që ka nën juridiksonin e vet edhe dikasterin e emigracionit dhe atë të rendit publik. “Drafti i parë që do të depozitohet do të jetë ai për marrjen e nënshtetësisë që ishte dhe në deklaratat programatike të qeverisë”, ka theksuar Voutsis, duke shtuar se “drafti do të jetë gati javën e ardhshme dhe do të paraqitet për diskutim publik”. Dhënia e nënshtetësisë greke fëmijve të emigrantëve ishte sanksionuar në vitin 2010, mirëpo shumë dispozita u shpallën si antikushtetuese dhe qeveria e drejtuar nga Antonis Samaras e pezulloi krejtësisht atë. Kjo ndodhi në fund të vitit 2012 dhe që atëherë komunitetet e emigrantëve, organizata shoqërore, por edhe partitë e majta greke kanë kërkuar riaktivizimin madje të përmirësuar të dispozitave. Para disa ditësh, ministria e emigracion it shqyrtoi disa ndryshime përmirësuese në legjislacionin për emigrantët. Tribuna-News e pyeti ministrin e brendshëm grek nëse mund të jepte detaje, por Nikos Voutsis tha se për këtë do të ishte më mirë të pyetej vartësja e tij, ministrja e emigracionit. “Vullneti i mirë ekziston. Por nëse ka diçka për t’u shpallur ditët e ardhshme, do të ishte më mirë t’i drejtoheshit ministres alternate të politikës së emigracionit”, theksoi ministri i brendshëm grek.

Ndaje me miqte