0030 210 33 18 483

Masa për krizën humanitare. Përfitojnë edhe emigrantët

03 Mars 2015

Subvencionim qeraje, energji elektrike falas, kupona për ushqim, akses falas në mjetet e transportit publik dhe në sistemin shëndetësor për gjithë personat që gjenden në limitet e varfërisë, parashikon ndër të tjera, projektligji për luftimin e krizës humanitare, që do të paraqitet në parlament nga ministri alternat i financave, Dimitris Mardas dhe ministrja alternate e solidaritetit social, Theano Fotiu. Sipas ministrit alternat të sigurimeve shoqërore, Dimitris Stratulis, ndër përfituesit janë edhe emigrantët. “Përderisa ata ndodhen mes nesh, janë qytetarë dhe paguajnë gjithë detyrimet e tyre, nuk mund të përjashtohen”, theksoi Stratulis. Më konkretisht, projektligji parashikon, sipas zyrtarëve nga ministritë përkatëse, subvencionimin e qerasë për rreth 30.000 persona me të ardhura të pamjaftueshme dhe falas energji elektrike deri në 300 kwh në muaj për 300.000 familje. Shuma e subvencionit të qerasë do të jetë 70 euro për person dhe deri në 220 euro për një familje me katër anëtarë. Parashikohet gjithashtu shpërndarja e 300.000 kuponave për ushqim, në bashkëpunim me Kishën dhe organet e pushtetit lokal. Si kriter për përfitimin e këtyre ndihmave do të jetë limiti i varfërisë dhe do të merren parasysh deklarata tatimore dhe të ardhurat e përfituesve nga çdo burim, ndërsa masat do të specifikohen me vendime ministrore.

Ndaje me miqte