0030 210 33 18 483

Me Brexit merr fund edhe lëvizja e lirë e qytetarëve nga vendet e BEsë

Tribuna 31 Korrik 2017

Lëvizja e lirë e qytetarëve të BE-së drejt Mbretërisë së Bashkuar do të marrë fund ditën që vendi do të dalë nga Bashkimi Europian, sipas të gjitha gjasave, më 29 mars 2019, deklaroi një zëdhënës i kryeministres Theresa May. Siç transmeton agjencia greke e lajmeve ANA-MPA, kjo deklaratë u bë në një përpjekje që të sqarohet pozicioni i qeverisë britanike, pasi ditët e fundit ministra të kësaj qeverie kanë shprehur opinione kundërshtuese me njeri-tjetrin. Lideri i krahut që mbështet një Brexit sa më të butë, ministri i financave, Philip Hammond, është shprehur në mënyrë të përsëritur në favor të një periudhe tranzicioni pas Brexit-it, me kohëzgjatje deri dhe në tre vjet, gjatë së cilës do të lejohen qytetarë të vendeve të BE-së që të vijnë e të punojnë në Britani. “Nuk do të ketë një ndryshim të menjëhershëm të rregullave për emigrantët”, deklaroi Hammond këtë javë. Këtë qëndrim e mbështeti me një artikull në shtyp edhe ministri i brendshëm Amber Ruud. Ndërkaq, në një intervistë në gazetën Sunday Times, ministri i tregtisë së jashtme Liam Fox, përkrahës i zjarrtë i Brexit-it, komentoi se diçka e tillë do të cënonte vullnetin e popullit britanik të shprehur në referendumin e qershorit të kaluar. Fox shtoi se këshilli i ministrave ende nuk ka konkluduar në një qëndrim për emigracionin. Zëdhënësi i kryeministres May tha gjithashtu se në qeveri ekziston një “konsensus i gjerë” për një Brexit sa më normal që të jetë e mundur. Sa i përket sistemit të ardhshëm të emigracionit, zëdhënësi tha se propozimet do të shqyrtohen në kohën e duhur. “Do të ishte gabim që të bëheshin spekulime se si do të jenë ato propozime, ose të aludojë se lëvizja e lirë do të vazhdojë ashtu siç është sot”, nënvizoi zëdhënësi.

Ndaje me miqte