Media greke: Ministri i jashtëm propozim për zgjidhjen e problemeve me Tiranën
25 Maj 2016
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias pritet të vizitojë Tiranën, muajin e ardhshëm.
Sipas gazetës greke, Kathimerini, Kotzias do t’i prezantojë palës shqiptare një paketë propozimesh, që synon zgjidhjen e gjithë problemeve dypalëshe. Gazeta shpjegon se paketa do të prezantohet pasi janë mbushur 20 vjet nga nënshkrimi i traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve, që ishte kryer në Tiranë, në mars 1996.
Por e përditshmja greke, përmend vetëm disa nga çështjet që preokupojnë Athinën dhe as për këto nuk jep ndonjë detaj shterues.
Kështu, lart në axhendën greke ndodhet zhbllokimi i marrëveshjes për kufirin detar, që është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Por edhe problemet e pasurive, që sipas gazetës ekzistojnë tek të dy palët.
Më tej, Athina insiston për gjetjen dhe grumbullimin e eshtrave të rreth 11.000 ushtarëve grekë që u vranë gjatë luftës italo-greke dhe që ndodhen të shpërndara në shumë zona të Shqipërisë.
Sipas Kathimerini, pala greke do ta argumentojë propozimin e vet me nevojën që të mbyllen sa më shpejt këto mosmarrëveshje dypalëshe, para se të fillojnë negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në këtë sens, gazeta thotë se Athina dëshiron një “zgjidhje të pastër”, me qëllim që anëtarësimi i Shqipërisë në BE të mos shoqërohet edhe nga probleme të mbetura pezull, që më pas mund të adresohen edhe brenda kuadrit europian.
Në fund gazeta vlerëson se bisedimet midis Athinës dhe Tiranës ndodhen aktualisht në një nivel të mirë.
Tribuna
Ndaje me miqte