0030 210 33 18 483

Media greke: Terpollarit iu pre koka për çështje droge

31 Maj 2016

Bledar Terpollari, i riu shqiptar që u vra në mënyrë makabre, duke i prerë kokën, duket se është ekzekutuar për një çështje droge. Kështu pretendojnë burime mediatike greke, që kanë akses në dosjen penale, pas arrestimit të dy personave, shtetas shqiptarë, që akuzohen si pjesëmarrës në vrasje. Policia greke njoftoi të hënën se ka kryer dy arrestime, ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër shtetas shqiptar. Ky i fundit sillet të jetë dhe autori i krimit. Të arrestuarit, që të dy të moshës 28 vjeç, kanë deponuar se shkaku i vrasjes ka qenë se viktima nuk kishte dorëzuar një shumë prej 20.000 eurosh, që përfituara nga trafiku i drogës, me gjasë kokainë, për llogari të një rrjeti trafikimi. Mediat greke thonë se Terpollari ishte kërcënuar shumë herë për shkak të mosshlyerjes së këtij detyrimi, dhe prandaj kishte shkuar të punonte në atë zonë të vetmuar, ku u gjet i masakruar. Sipas mediave, dy të arrestuarit kanë treguar detaje nga momenti i krimit. Ata citohen të kenë thënë se shkuan që të tre në barraken ku jetonte viktima autori i vrasjes hyri brenda. Më pas u dëgjua një e shtënë dhe pastaj e panë se si po i priste kokën. Ai u futi kokën në një qese dhe u tha se do t’ia çonte personit që kishte urdhëruar ekzekutimin e Terpollarit. Sipas tyre, autori i vrasjes ishte kushëri i viktimës dhe pjesëtar i rrjetit të trafikut të drogës. Bledar Terpollari u gjet i vdekur e me kokë të prerë, paraditen e 9 majit, në një stan ku po punonte si bari.

Ndaje me miqte