0030 210 33 18 483

Media greke dënon reagimet kundër mësimit të gjuhës shqipe nga fëmijtë e emigrantëve

Tribuna 27 Janar 2018

Media greke i është rikthyer ngjarjes në ishullin e Kretës, ku nxënës dhe prindër grekë, protestuan kundër mësimit të gjuhës amtare nga fëmijtë e emigrantëve shqiptarë që ndodhen në qytetin Hania. Të premten, më 26 janar, drejtori i gjimnazit ku ndodhi ngjarja, ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e bën të ditur portali zougla.gr, që është ndër portalet me klikimet më të shumta në Greqi. Portali ka publikuar një editorial therës, me titullin “Shpërthim nacionalizmi dhe ksenofobie në një shkollë në Hania”. Portali e ndërlidh kërkesën e komunitetit shqiptar për mësimin e gjuhës shqipe, me kërkesat e emigrantëve grekë nëpër Europë, vite më parë, që t’u krijoheshin kushte për mësimin e gjuhës amtare. Portali vë në dukje se “ky shpërthim nacionalizmi dhe ksenofobie po shfaqet në kohën që Athina dhe Tirana po bëjnë me shpejtësi hapa për zgjidhjen e problemeve ndërmjet tyre, me synim të menjëhershëm heqjen e ligjit të luftës, të vendosur që nga viti 1940. Pyetja që del është: Si po e menaxhon çështjen drejtoria arsimore e Haniasë dhe ministria e arsimit? Si ka mundësi që në një qytet kozmopolit dhe turistik si Hania, prindërit dhe drejtuesit e shkollave harrojnë se një nga kërkesat bazike të emigrantëve grekë në Gjermani dhe Europë ishte krijimi i shkollave për mësimin e gjuhës greke?”. Portali zougla.gr e mbyll editorialin e vet duke nënvizuar se për këtë çështje pret përgjigje personalisht nga ministri i arsimit. Të dielën e kaluar, në gjimanzin e parë të haniasë u organizua një ceremoni për fillimin e mësimeve të gjuhës shqipe nga fëmijtë e emigrantëve shqiptarë në atë qytet të ishullit të Kretës. Mirëpo, prindër dhe mësues grekë reaguan mjaft ashpër, duke kërkuar anulimimin e këtij vendimi të drejtorisë, ashtu sikurse dhe u bë.

Ndaje me miqte