Media greke për deklaratat e Ramës mbi marrëdhëniet Tiranë Athinë
Tribuna
12 Shtator 2017
Mediat greke kanë pasqyruar gjerësisht deklaratat e djeshme të kryeministrit Edi Rama, mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Shumica e mediave kanë publikuar pa komente të posaçme, pasazhe nga fjala e kryeministrit gjatë paraqitjes së programit të qeverisë së re.
“Kryeministri shqiptare Edi Rama ka emërtuar Greqinë si të vetmin vend fqinj me të cilin Shqipëria ka probleme dypalëshe”, thekson gazeta Ta Nea.
“Rama shtoi se Tirana dëshiron miqësi reciproke, respekt të ndërsjelltë dhe bashkëpunim strategjik”, vazhdon gazeta.
“Edi Rama: Me Greqinë dëshirojmë miqësi reciproke dhe bashkëpunim”, ky është titulli që prezanton korrespondencën e vet gazeta tjetër e madhe, Proto Thema. Sipas kësaj gazete, Rama, duke folur në parlamentin shqiptar premtoi se interesimi i qeverisë për minoritetin grek do të jetë vazhdimisht në rritje.
Shumica dërrmuese e mediave i ka dhënë hapësirë sidomos asaj pjese të deklaratës, ku Edi Rama shpreh besimin e tij se e ardhmja “do të sjellë zgjidhjet e dëshiruara për të dyja palët me dialog real, me këmbë në tokë, jo me deklarata fluturake në distancë dhe marrëdhëniet mes nesh do të ngrihen në një nivel të ri miqësie, respekti dhe bashkëpunimi strategjik”.
Vetëm disa pak media, që njihen për natyrën e tyre populiste, i kanë cilësuar deklaratat e kryeministrit shqiptar si “provokime”, por edhe ky cilësim ka mbetur vetëm tek titulli, pa komente të tjera.
Në Athinë ende nuk ka një reagim zyrtar ndaj deklaratave të zotit Rama.
Ndaje me miqte