Mejdani Moisiu e Topi: Presidenti të zgjidhet nga populli
08 Maj 2016
Tre ish-Presidentët, Alfred Moisiu, Rexhep Mejdani dhe Bamir Topit përmes një letre publike drejtuar politikës kërkojnë zgjedhjen nga populli të Presidentit të Republikës. Letra i është dërguar Kryetarit të Kuvendit, Grupeve Parlamentare, Anëtarëve të Komisionit për Reformën në Drejtësi si dhe Anëtarëve të Komisionit për Reformën Zgjedhore.
“Bindja jonë është se ndryshimet kushtetuese (2008) lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, me sistemin zgjedhor, si dhe ndryshimet e vazhdueshme në institucione të veçanta të drejtësisë, kanë rezultuar jo efikase dhe problematika për cilësinë e sistemit qeverisës në vend”, thuhet në letër. Për këtë arsye, ata propozojnë realizimin në e plotë dhe në kohë të reformës në drejtësi pasi është mbi të gjitha në dobi të vendit, të reformave, të procesit integrues, të qytetarëve, të cilësisë së demokracisë dhe në fund mund edhe të jetë një çështje me interes pragmatist të partive të caktuara politike.
Duke vënë në dukje se sistemi ynë përfaqësues politik është i cunguar dhe nuk shpreh sovranitetin e popullit, siç kërkohet nga Kushtetuta, ish-presidentët vërejnë se sistemi zgjedhor i aplikuar prej vitit 2009 ka rezultuar problematik, ka kufizuar ndjeshëm konkurrencën politike, ka krijuar një parlament me prurje larg nevojave dhe pritshmërive publike, ka ulur besimin qytetar tek vota dhe ka krijuar një cikël të mbyllur, diskriminues dhe të diferencuar për aktorët konkurrues politik, kandidatët e pavarur, partitë e reja dhe të vogla, si dhe për grupet qytetare kritike ndaj sistemit.
“Komisioni aktual për reformën zgjedhore ka rastin, shansin dhe përgjegjësinë të ndërhyrje në thelbin e reformës për ti dhënë fund praktikave të emërimit të shumicës së parlamentit nga kryetarët e partive kryesore, për t’i dhënë fund administrimit partiak të zgjedhjeve, për ti dhënë zgjidhje shqetësimit të madh të korrupsionit elektoral, si dhe për të mundësuar votimin e emigrantëve dhe jetësimin e standardeve më të larta zgjedhore të denja për një vend që meriton ftesën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksojnë ata.
Ndërsa në kuadër të ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhore, ish Krerët e Shtetit st të theksonë se çështja e zgjedhjes së Presidentit të Republikës duket të jetë patjetër edhe çështje e trajtimit në ndryshimet e reja kushtetuese. “Zgjedhja e Presidentit direkt nga qytetarët rrit besimin e qytetarëve në sistemin politik e përfaqësues, sjell cilësi përfaqësimi, i jep fuqi dhe legjitimitet më të madh qytetar Presidentit dhe e ndihmon atë të ushtrojë më mirë dhe më me lidhje të fortë qytetare funksionet e tij kushtetuese”, përfundon letra e tre ish-Presidentëve.
Tribuna
Ndaje me miqte