Merkel: Vendet e Ballkanit duhen ndihmuar ekonomikisht por nuk ka azil
28 Gusht 2015
Kancelarja e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel, Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili përfaqëson liderët e Ballkanit, dhanë një konferencë të përbashkët shtypi në mbyllje të Samitit të Vjenës.
Duke shprehur tronditjen mbi tragjedinë e 50 klandestinëve, të cilët u gjendën të vdekur në një kamion në Austri, Merkel theksoi se “ky është një paralajmërim për Europën për të ofruar solidaritet dhe për të gjetur një zgjidhje”.
Merkel gjithashtu theksoi se, vendet nga Ballkani Perëndimor që aspirojnë të jenë kandidate për në Bashkimin Europian, apo presin çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, duhen ndihmuar në prizmin ekonomik, por jo në çështjen e azilit. Azil politik për njerëz që vijnë nga këto shtete nuk do të ketë. Azil do të përfitojnë vetëm persona që vijnë nga Siria a vende të ngjashme, ku lufta po u merr jetën. Ky ishte mesazhi në mbyllje të Samitit të Vjenës, fjalë që u shprehën nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Jemi të tronditur se rreth 50 persona humbën jetën në një situatë ku kriminelët që i morën përsipër nuk u kujdesën për këta emigrantë. Aty ku menduan se do ishin të sigurt, ata vdiqën. Ka nevojë për ta zgjidhur këtë problem, problemin e migrimit me anë të frymës dhe solidaritetit. Fatmirësisht, në Europë nuk kemi luftë prej Luftës së Dytë Botërore, por e kemi detyrim historik për të mbështetur njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe strehë, sidomos ata nga zonat e luftës dhe krizës. Të gjithë e dinë si është situata në Siri dhe është në dorën e Europës të ndërhyjë. Pra ta zgjidhim çështjen e migrimit me frymën e solidaritetit. Vendet anëtare të BE janë të gatshme ta bëjnë këtë dhe do e diskutojë me urgjencë. Kemi folur për vende të Ballkanit Perëndimor duke pasur parasysh dhe sfidat që kanë. Ne si BE duhet t’ua lehtësojmë këtë barrë, dhe njerëzit që kërkojnë azil, dhe vendet që janë kandidate apo do të nisin negociatat, mund të shikojnë të drejtat e tyre të njeriut, duhet t’u japim një stimul ekonomik këtyre vendeve. Fatkeqësisht duhet t’u themi këtyre njerëzve që vijnë nga këto vende, se nuk kanë shanc të marrin azil sepse azilin do e fitojnë vetëm ata që vijnë nga vendet e luftës”, tha Merkel.
Ndërsa kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shprehu rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. Vuçiç theksoi se vendet e rajonit nuk duan vetëm mbështetje monetare, por kërkojnë mbështetje politike dhe përkrahje.
“Eshtë e rëndësishme të dëgjosh shqiptarët e serbët t’i drejtohen Europës për ta bindur për përpjekjet e tyre në rrugën e integrimit. Ne shprehim ngushëllime për 50 viktimat që janë gjetur sot në një kamion në Austri. Duke besuar se puna e përbashkët është e vetmja alternativë, them se është me rëndësi që të fokusohemi në procesin për të ndryshuar veten tonë. Jemi të gatshëm të marrim barrën tonë për çështjen e emigrantëve në mënyrë serioze. Nuk e shohim BE-në si një bankomat, por si një organizëm që ka shumë institucione, që punojnë shumë dhe ndajnë vlera të rëndësishme. Ne nuk kërkojmë vetëm mbështetje monetare, por mbështetje politike. Ne do punojmë shumë më tepër. Vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Edhe pse vijmë nga kombe të ndryshme, ndajmë pak a shumë të njëjtat vlera”, tha Vuçiç.
Ndaje me miqte