Merkel fiton zgjedhjet në Gjermani rritje shqetësuese e nacionalistëve
AFP / ATSH
25 Shtator 2017
Konservatorët gjermanë të Angela Merkel fituan të dielën zgjedhjet legjislative, por festa është zbehur nga hyrja historike e të djathtës nacionaliste në dhomën e deputetëve dhe kërkesa për një maxhorancë që duket e vështirë.
CDU-CSU, me vetëm 32,7-33,3 për qind të votave, sipas exit-polleve, regjistroi rezultatin më të ulët në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, niveli më i ulët historik i arritur tashmë nga Merkel (33,8 për qind në 2009).
Kancelarja ka pranuar se shpresonte një rezultat më të mirë duke shtuar se hyrja e nacionalistëve në Parlament ishte një sfidë e re.
Partia e saj kryeson padyshim atë të Martin Schulz dhe social-demokratët e SPD (20-21 për qind) që regjistruan gjithashtu rezultatin më të ulët që prej vitit 1945, sipas exit-polleve të stacioneve publike televizive ARD et ZDF.
I takon kancelares për të katërtën herë të kërkojë partnerët për formimin e qeverisë së ardhshme. Por, gjetja e maxhorancës u vështirësua që prej mbrëmjes së sotme nga SPD-ja, që vendosi të qëndrojë në opozitë pas katër viteve në qeverinë e Angela Merkel.
Martin Schulz shprehu keqardhje për një ditë të vështirë dhe të hidhur për socialdemokratët, por premtoi se do të luftonte në Bundestag për vlerat dhe parimet e tolerancës dhe respektit.
Me refuzimin e SPD-së, një mundësi e vetme mbetet, një aleancë me FDP-në dhe të Gjelbërit. Por mosmarrëveshjet mes ekologjistëve dhe liberalëve për të ardhmen e naftës apo imigracionit mbeten shumë të komplikuara për t’u menaxhuar.
Përpjekjet mund të zgjasin disa muaj. Dhe vetëm pas zyrtarizimit të një koalicioni të ri, Merkel do të jetë zyrtarisht e emëruar kancelare për të katërtën herë.
Kurrë në Gjermaninë kontemporane, fituesi i zgjedhjeve nuk është gjendur pa maxhorancë për të qeverisur.
Ngjyrat e koalicionit të ardhshëm do të kenë një rëndësi kryesore për një sërë çështjesh të nxehta si reformat e zonës euro, e ardhmja e marrëdhënieve transatlantike apo çështja e sanksioneve të vendosura kundër Rusisë.
Ndaje me miqte