Merkel shpreh mbështetjen për Shqipërinë por thekson 5 prioritetet
TRIBUNA
29 Nentor 2016
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri shqiptar Edi Rama kanë diakutuar të hënën mbi ecurinë e integrimit europian të Shqipërisë.
Në konferencën e përbashkët për shtypin, zonja Merkel theksoi mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE-së si dhe përmbushjen e 5 kritereve të Komisionit Europian, si zbatimin e reformës në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në fjalën e saj Kancelarja Merkel pasi përshëndeti Kryeministrin Edi Rama për vizitën e tij sërish në Gjermani u shpreh se, “Ne duam flasim sot për zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri. E bëjmë rregullisht këtë shkëmbim bisedimesh. Këtë e bëjmë sot në Ditën Kombëtare të Shqipërisë dhe dëshiroj që kryeministrin dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, t’ju përcjell urimet më të përzemërta në ditën kombëtare të tyre dhe t’ju uroj zhvillim të mbarë”.
“Republika Federale e Gjermanisë është përpjekur që ta mbështesë Shqipërinë në zhvillimet e tanishme, p.sh duke dërguar përfaqësues në misionin EURALIUS, gjë që ka kontribuar që reforma juridike të mund të vihet në funksionim. Eshtë e rëndësishme që kjo rrugë e nisur të vazhdojë. Komisioni Europian ka përmendur 5 prioritete dhe këtu bën pjesë zbatimi i qëndrueshëm i Reformës së Drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto janë hapa të përhershme që duhen kryer. Duke patur parasysh edhe zgjedhjet që ka, Shqipëria do të vihet në kontakt dhe me OSBE”, shtoi Merkel.
“Shqipëria është bërë një partner i rëndësishëm që para kthesës politike 26 vjet më parë, është bërë një aleate e fortë në NATO, me të cilën ne ndihemi të lidhur ngushtë edhe në mënyrë bilaterale. Ne konstatojmë sot që Shqipëria është shndërruar në mënyrë rrënjësore vitet e fundit dhe që ka ndërmarrë hapa të rëndësishme në fushën e reformave dhe që i ndërmerr edhe më tej ato. Komisioni Europian i ndjek në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në Shqipëri dhe në raportin e fundit për vendet aspirante e ka vlerësuar këtë zhvillim dhe unë dëshiroj ta uroj shumë përzemërsisht kryeministrin Edi Rama për këtë zhvillim”, tha kancelarja gjermane.
Nga ana e vet, kryeministri Edi Rama theksoi se “ne nuk i kemi parë asnjëherë detyrat tona të shtëpisë në rrugën e integrimit europian, si një barrë që e kanë ngarkuar të huajt, por vetëm si një borxh që ua kemi fëmijëve tanë. Me këtë vetëdije ne kemi kryer gjatë këtyre tre vjetëve reforma të thella modernizuese dhe me mbështetjen e pakursyer të miqve tanë europianë, në radhë të parë të Gjermanisë dhe tuajën personalisht, ne kemi kaluar këtë vit një reformë madhore kushtetuese, Reformën e Drejtësisë. Marrja e statusit të vendit kandidat 2 vjet e gjysëm më parë na shërbeu si një motivim i veçantë për kryerjen e kësaj reforme, e cila me plot të drejtë konsiderohet kyçe për çeljen e negociatave për anëtarësim”.
“Unë sot jam shumë krenar që pasi u takuam më parë në Berlin dhe ju ma bëtë shumë të qartë që - për t’u bërë një vend anëtar i BE, ne e kemi gjithë mbështetjen tuaj, por na duhet me patjetër Reforma në Drejtësi, - sot ne e kemi në kartën tonë kushtetuese të kryer këtë detyrë. Por është vetëm një detyrë e kryer në letër, sepse tani është koha për ta implementuar. Jemi shumë mirëkuptues, Shqipëria e mirëkupton, dhe e mbështet plotësisht kushtin e Komisionit Europian që shoqëron rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, që të fillojmë zbatimin e ligjit të Vettingut për gjykatësit e prokurorët. Ashtu sikundër, as nuk e vë në diskutim që deri kur negociatat duhet të çelen zyrtarisht, progresi në 5 prioritet duhet të jetë i vazhdueshëm dhe ato mbeten udhërrëfyesi ynë deri në ditën e anëtarësimit në BE”, tha Rama.
Më[ pas, kryeministri Rama postoi në facebook videon nga konferenca e përbashkët për shtyp, shoqëruar me këtë shënim: “Me Kancelaren Merkel në deklaratën e përbashkët për shtyp përpara takimit, ku mikja e shtrenjtë e Shqipërisë përshëndeti Raportin e Komisionit Europian dhe arritjet tona, si edhe nënvizoi mbështetjen e mëtejshme të Gjermanisë për zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe sigurimin e progresit të vazhdueshëm mbi 5 prioritete”.
Ndaje me miqte