0030 210 33 18 483

Meta: Akuzat e Doshit deklarata të karakterit politik pas përjashtimit nga grupi i PS

10 Mars 2015

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh në një intervistë në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu se, sa i përket akuzave të deputetit Tom Doshi, kemi të bëjmë me deklarata të karakterit politik, të bëra në momentin kur deputeti përjashtohet nga grupi parlamentar i PS, kur para disa ditësh po ky deputet ka bërë deklarata për disa drejtoresha duke i bërë shantazh Kryeministrit. Sa i përket hetimit, Meta u shpreh se, “i vetmi person që ka bllokuar hetimin e këtyre akuzave është vetëm deputeti Doshi”. Meta u shpreh se nuk e ka besuar këtë histori asnjëherë, duke theksuar se deputeti Doshi tregon 100 variante të ndryshme. Sipas kreut të Kuvendit kjo histori është e trilluar pas përjashtimit të deputetit Doshi nga grupi parlamentar i PS. Meta thekson se nuk ka ndikuar aspak në përjashtimin e deputetit Tom Doshi nga grupi parlamentar i PS. “Puna e videove dhe tritolit është kthyer në një sport popullor”, tha Meta, duke shtuar se, “nuk ka asnjë shqetësim në këtë histori dhe drejtësia duhet të thotë fjalën e saj. Jam gati të shkoj çdo ditë të javës në Prokurori për t’u përballur me z. Doshi dhe z. Berisha si dy akuzuesit e mi”. Meta u shpreh se, “Policia kishte marrë masat e saj. Edhe Prokuroria ishte njoftuar. Ehe unë si Kryetar i Kuvendit mora masat e mia, lajmërova kreun e Komisionit të Sigurisë, Z. Braho. E ndoqa vazhdimisht si ngjarje. Emri im nuk doli. Doli vetëm në momentin kur duhej të përdorej për qëllime për të destabilizuar situatën politike. Nuk ka asnjë denoncim nga deputeti në fjalë. Denoncimi bëhet publikisht nga deputeti vetëm kur përjashtohet nga grupi parlamentar i PS”. “As më shkon mendja për filma të tillë, telenovela të tilla që nuk kanë asnjë lidhje me formimin tim kulturor. Këto mentalitete me hakmarrje, prita, pusi qëndrojnë në mentalitetin e doktorit dhe të disave si ai. Por këto ngjarje, as nuk kanë ndodhur as nuk do të ndodhin veçanërisht për shkakun tim”, theksoi kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Lidhur me kërkesën e opozitës për dorëheqje, kreu i Kuvendit Meta u shpreh se, “kryetari me letra i opozitës ka dhënë një lajmërim për protestë në datën 12, për të kërkuar dorëheqjen time. Nuk ka së pari asnjë akuzë ndaj meje. Z. Basha u akzuua për 230 milionë dollarë për rrugën Durrës - Kukës dhe e mbylli çështjen me procedurë, jo me themel. Prandaj të kërkojë një herë hapjen në themel të çështjes së tij dhe më pas ka të drejtë të kërkojë dorëheqjen time. Dorëheqja ime në 2011 u dha për dy arsye. E para sepse opinioni publik u trondit. Ishte një minsitër që akuzontë një zv/kryeminsitër dhe kishtë të bënte me një ministër që unë e emërova dhe me një ministri që unë e drejtoja në atë kohë.Ndërsa tani nuk ka asnjë provë konkrete. Janë dy të ashtuquajtrua prova, intervista e Tomës me Tomën dhe akuza e Tomës që nuk quhet si provë, por është anti-provë”. Kreu i Kuvendit theksoi se është i gatshëm të ballafaqohet me akuzuesit e tij si në Prokurori, edhe para mediave, në mënyrë që e vërteta të dalë në shesh. “Vendi destabilizohet duke krijuar precedent kriminal. Kushdo mund të bëjë video dhe të blejë akuzues duke kërkuar destabilizimin dhe rrëzimin e institucioneve pa votë, tha Meta. Meta u shpreh se nuk ka asnjë hatërmbetje me deputetët e PS apo Kryeministrin, madje as me deputetin Doshi, por vetëm me z. Berisha, cili u shpreh Meta, “ka thënë se ka tre muaj që e dinte. Atëherë përse nuk foli tre muaj”. “Kjo është një ngjarje tronditëse për opinionin”, por shtoi Meta, “këtë çështje o drejtësia, o mjekësia e zgjidh”. Dekriminalizimi “Mendoj që ky parlament duhet të ecë përpara në procesin e dekriminalizimit. Tani që e mbështetëm ne dekriminalizimin po e braktisin ata”, tha Meta duke iu referuar opozitës. Sa i përket procesit të dekriminalizimit, Meta u shpreh se, “ SHBA kanë bërë të qartë të gjitha partive për dekriminalizimin apo rritjen e standardit të përfaqësimit në Kuvend për të bërë ligje, por edhe për të pasur reflektim tek forcat politike për të mos vënë njerëz me precedentë. Duhet fillaur që tani me listat e kandidatëve për bashkitë duke vendosur figura me integritet të lartë moral dhe politik”. “Ka kohë, theksoi Meta, “që kemi elementë problematikë, të cilët njohin vetëm gjuhën e presionit, shantazheve duke përdorur vetëm gjuhën e dhunës. Jemi të vendosur të ecim përpara në këtë proces. Kemi ngritur dhe një Komision dhe shpresojmë që opozita të mos tërhiqet. Do të ecet me ekspertizë ndërkombëtare dhe shpresojmë që opozita të mos tërhiqet nga ky proces”. Zgjedhjet vendore Kreu i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi se kandidatët për kryetarët e bashkive do të zgjidhen bashkarisht me PS-në, ndërsa theksoi se Tirana do të ketë një emër nga PS. “Besoj se Tirana është përgjegjësi shumë e madhe dhe i takon PS që të japë propozimin e parë. Nëse PS nuk jep propozimin e parë, jemi të gatshëm të japim propozimin tonë. Mendoj se fryma e bashkëpunimit do të dominojë. Edhe shqetësimi kryesor i z. Rama është të gjejë kandidatët e duhur për të çuar përpara reformën administrativo-territoriale. Nuk kemi asnjë preferencë për të dominuar mbi PS, por përkundrazi duam të bashkëpunojmë me PS-në dhe çdo parti aletate”, tha Meta. Ndërsa lidhur me besimin e qytetarëve tek kjo mazhorancë, Meta u shpreh se, “besoj se qytetarët shqiptarë do të japin mbështetje shumë të madhe për këtë mazhorancë dhe do të japin një mbështetje për këto reforma që kishin mbetur të bllokuara”, theksoi kreu i Kuvendit.

Ndaje me miqte