Meta: Forcat politike në vend të bashkohen për të garantuar stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve
ATSH
28 Prill 2017
Presidenti i sapo zgjedhur, Ilir Meta apeloi forcat politike në vend të bashkohen për të garantuar stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve.
“Dje ne kemi parë ngjarjet tronditëse në Kuvendin e Maqedonisë të cilat janë pasojë e një konflikti dhe kokëfortësie politike të papranueshme. Ndaj unë edhe një herë tjetër dua të apeloj të gjithëve të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit e legjitimitetin e institucioneve tona në mënyrë që të mos sakrifikojmë të gjithë arritjet që vendi ka njohur deri tani si dhe të ardhmen europiane”, deklaroi Meta.
Gjithashtu, ai falenderoi “kolegët që votuan kundër, falenderoj veçanërisht kolegët që mungojnë këtu, pasi me mungesën e prezencës së tyre ata më kanë nxitur për të pranuar kandidim për këtë përgjegjësi të rëndësishme”.
“?do politikan është gjithmonë mes dy raportesh, pushtetit dhe demokracisë. Unë kam zgjedhur dhe do zgjedh gjithmonë demokracinë në raport me pushtetin. Endrra ime ka qënë për tu bërë pedagog pasi në vitin’ 88 ishte e vështirë të ëndërroje të bëheshe deputet, kryeministër, kryetar parlamenti apo edhe aq më tepër që të zgjidhesh President. Dhe unë kam patur këtë mundësi vetëm falë demokracisë dhe mundësi që ajo u ka dhënë shqiptarëve për të gëzuar liritë e tyre, dhe për ti dhënë vendi mundësinë për të qënë vend anëtar i NATO-s, kandidat për BE, që ka mundësi të çelë negociatat së afërmi, nëse ne do arrijmë të bëjmë çdo sakrificë për standardet, që të forcojmë legjitimitetin e të gjitha institucioneve tona, me qëllim që të krijojmë të gjitha shanset për një vend më frymëzues për të gjithë të rinjtë”,u shpreh Meta.
Në këtë kontekst, Meta ftoi të gjithë për të mbrojtur standardet e demokracisë dhe çuar ato më tej, duke realizuar zgjedhje të standardeve më të larta e gjithëpërfshirëse, të cilat theksoi ai, forcojnë legjitimitetin e institucioneve dhe krijojnë shanse për një atdhe më frymëzues për të gjithë të rinjtë.
“Do të bëj çdo gjë, me të gjitha cilësitë e mia, për të justifikuar këtë besim që ju më dhatë sot, jo vetëm para jush por edhe qytetarëve, Kushtetutës, interesave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen europiane të vendit dhe do t’u lutesha të gjithëve që të përpiqemi në këto orë e ditë që t’i japim jo gjithë partive, por gjithë qytetarëve mundësinë që të kontribuojë në zgjedhjet që vendi meriton”, ka thënë Meta.
Meta tha se u bë gjithçka ishte e mundur për tu arritur një konsensus pavarësisht se kjo mazhorancë i kishte votat . “Megjithatë ka disa afate dhe në demokraci duhet të japim , të investojmë për të përmirësuar klimën, rritur mirëbesimin e zhvilluar demokracinë”, u shpreh Meta, duke shtuar se gjithsesi ende ka kohë për të krijuar një atmosferë krejtësisht tjetër për zgjedhjet e ardhshme.
“Do ju lutesha të gjithëve të përpiqemi në këtë orë, në këto ditë tu japim jo vetëm partive por edhe qytetarë që të kontribuojnë në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike që vendi meriton”, apeloi Meta.
Në podiumin e sallës së Parlamentit, Meta ka premtuar se në detyrën e tij të re do t’i shërbejë demokracisë.
“Unë do të kisha votuar sot me gjithë dëshirë për jo pak koleg e kolegë që janë këtu, apo mungojnë, por edhe për shumë personalitete të shquara për vendin tonë e që mund të bënin këtë detyrë më mirë se unë. Do të bëj gjithçka që të justifikoj besimin tuaj”, tha ai.
Fjala e plotë e Presidentit të sapozgjedhur të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta:
Faleminderit zonja drejtuese e seancës,
Faleminderit z. Ulqini, për urimin tuaj,
Faleminderit të gjithë kolegëve dhe kolegë deputetë që morën pjesë, të gjithë kolegeve dhe kolegët që votuan pro.
Pa dyshim një falënderim të veçantë edhe kolegëve që votuan kundër, por dua të falënderoj në mënyrë të veçantë kolegët që mungojnë këtu, pasi me mungesën e prezencën së tyre ata në njëfarë mënyre më kanë nxitur për të pranuar kandidimin dhe këtë përgjegjësi shumë të rëndësishme.
Nuk kam përgatitur ndonjë fjalim dhe pak më parë më erdhën dy fjalime të improvizuara dhe sa kam dëgjuar këshillat e z. Dokle, kam patur sukses. Kështu që po flas pa letër.
?do politikan është gjithmonë midis dy raporteve: pushtetit dhe demokracisë. Unë kam zgjedhur dhe do të zgjedh gjithmonë demokracinë në raport me pushtetin, sepse pushtet ka vetëm në vendet demokratike.
Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Kur lexoj relacionin kolegia Hysi përmendi që unë kam lindur në ?epan të Skraparit. ?epani i Skraparit është një fshat shumë i thellë malor, në një rreth që dihet ndër më malorët dhe më të thellët në Shqipëri.
Kur unë kam qenë student ëndrra që kisha unë maksimale, ishte për t’u bërë pedagog dhe profesor Angjeli që ka qenë edhe pedagogu im, e di këtë shumë mirë, sepse në vitin 1988 ishte vështirë të ëndërroje që të bëheshe deputet, që të bëheshe Kryeministër, që të bëheshe Kryetar i Kuvendit, siç jam unë sot, apo aq më tepër që të zgjidheshe President i Republikës.
Dhe unë kam patur këtë mundësi vetëm falë demokracisë dhe mundësive që ajo më ka dhënë jo vetëm mua, por ju ka dhënë edhe juve, u ka dhënë e shumë e shumë shqiptarëve të tjerë për të gëzuar liritë e tyre.
Për të ndryshuar vendin tonë dhe për t’i dhënë atij këtë mundësi që të jetë vend anëtar i NATO-s prej vitesh, një vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Një vend që i ka të gjitha mundësitë të çelë dhe negociatat së afërmi, nëse ne do të arrijmë të bëjmë çdo sakrificë për të mbrojtur standardet e ndershme të demokracisë dhe për t’i çuar ato akoma më tej sidomos në orët, ditët dhe javët që vijnë, duke realizuar zgjedhjet të standardeve më të lartë gjithëpërfshirëse dhe demokratike me qëllim që të forcojmë legjitimitetin e gjithë institucioneve tona dhe njëkohësisht me qëllim që të krijojmë të gjitha mundësitë, të gjitha shanset për një atdhe më frymëzues për të rinjtë dhe për fëmijët e të gjithë shqiptarëve.
Ndaj unë do të bëj çdo gjë me të gjitha cilësitë e mia për të justifikuar këtë besim që ju më dhatë sot.
Jo vetëm para jush, por edhe para të gjithë qytetarëve shqiptarë, përpara Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përpara interesave më të rëndësishme, që kanë të bëjnë me stabilitetin, me sigurinë kombëtare, me të ardhmen evropiane të vendit tonë dhe do t’u lutesha të gjithëve që janë këtu, por edhe atyre që mungojnë, të përpiqemi në këto orë, në këto ditë të japim, jo thjesht të gjithë partive, por në radhë të parë çdo qytetari shqiptar, mundësinë që të kontribuojë në zgjedhjet më të ndershme, më të lira dhe më demokratikë që vendi meriton.
Më 21 korrik në mëngjes, kur ishin shuar shpresat për konsensusin për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi kam qenë shumë i shqetësuar dhe kam apeluar këtu për të bërë çdo përpjekje që të gjenim konsensusin në mënyrë që Shqipëria të mos bëhej Maqedoni.
Dje ne kemi parë të gjithë ngjarje tronditëse në Kuvendin e Maqedonisë, që vijnë për shkak të një konflikti kokëfortësie politike të papranueshme.
Ndaj unë edhe një herë tjetër dua t’u apeloj të gjithëve të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve tona në mënyrë që të mos sakrifikojmë këto arritje shumë të mëdha që vendi ka deri tani dhe ka realizuar gjatë këtyre gati katër viteve të kësaj legjislature dhe të këtij mandati qeverisës, pasi ky është një detyrë dhe një përgjegjësi e secilit prej nesh që të bëj gjithçka.
E di që po të kishin dalë 83 vota do dëgjonim se prandaj u dogjën tre raundet e para, sepse nuk i kishin 84 vota, kur e vërteta është mjaft e qartë dhe kokëfortë për të gjithë ne, që kemi bërë përpjekje gjatë këtyre javëve për të evituar këtë ngërç dhe këtë situatë tërësisht të pamerituar për vendin dhe qytetarët tanë lidhur me çështjen e zgjedhjeve.
Dhe kur të gjithë e dinë që disponimi nga ana e jonë dhe nga ana ime në mënyrë të veçantë, ka qenë maksimale që vetë posti i Presidentit të Republikës, pavarësisht se kjo mazhorancë i kishte dhe i ka votat, i kishte për ta zgjedhur që në raundin e parë, të investohej për një konsensus sa më të gjerë për të përmirësuar klimën e besimit në vend.
Megjithatë, janë disa afate dhe në demokraci unë mendoj që të gjithë, jo vetëm duhet të presin, por edhe duhet të japin, duhet të investojnë për të përmirësuar klimën, për të rritur mirëbesimin, por edhe për ta bërë dhe për ta zhvilluar demokracinë.
Kështu që shpresoj dhe besoj që ende ka kohë për të krijuar një atmosferë krejtësisht tjetër për zgjedhjet e ardhshme në mënyrë që edhe më 24 korrik, ditën kur do të betohet Presidenti që ju keni votuar sot, jo thjesht kjo sallë të jetë plot, se kjo nuk besoj se është më e rëndësishmja, por Shqipëria të jetë shumë më e qetë se sot dhe me një të ardhme evropiane akoma më solide dhe këtë mund ta arrijmë vetëm, duke punuar dhe duke bashkëpunuar të gjithë.
Ju falënderoj shumë për përkrahjen tuaj, për pjesëmarrjen tuaj, për votimin tuaj.
Unë do të kisha votuar me shumë dëshirë sot për jo pak kolege dhe kolegë që janë këtu, apo që mungojnë, por edhe për mjaft të tjerë që nuk janë deputetë, por që janë personalitete me kontribute të shquara në vendin tonë dhe që mund ta bënin këtë detyrë akoma edhe më mirë se unë. Por rrethanat më dhanë mua këtë mundësi dhe unë do të bëj gjithçka që të justifikojë besimin tuaj.
Faleminderit!
Ndaje me miqte