Meta:Transparenca mbrojtja më e mirë për suksesin e reformës
ATSH
14 Shkurt 2017
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta, deklaroi në Konventën Zgjedhore të Tiranës se zbatimi transparent dhe në respekt të Kushtetutës është mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhet suksesit të reformës në drejtësi, nga përpjekjet për ta bllokuar apo per ta dështuar atë.
“Detyra jonë në këto momente, kur situata politike në vend po shkon drejt përshkallëzimit të një retorike edhe më konfliktuale, për shkak dhe të zgjedhjeve që po afrojnë, eshte qe të bëjmë çdo gjë për të ecur perpara me transparencë maksimale, në mënyrë që askush të mos ketë mundësi, që jo vetëm të zhbëjë konsensusin historik të votës së 21-22 korrikut, por as të zhbëjë me manovra të papranueshme, në kundërshtim me këtë reformë, qe duhet të prodhojë një drejtësi të besueshme për të gjithë qytetarët shqiptarë”, u shpreh Meta.
Zbatimi transparent, në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve të miratuara, është mbrojtja më e mirë që mund t’i bëhet ecurisë dhe suksesit të kësaj reforme, nga çdo përpjekje për të gjetur pretekste për ta bllokuar, për ta dëmtuar apo per ta dështuar atë.
“Nëse do te ishin dëgjuar sugjerimet e LSI-së për reformën vendi nuk do të kishte humbur aq shumë kohë me retorika të panevojshme. LSI theksoi se nuk kishte asnjë interes për të mbrojtur sistemin e degraduar të drejtësisë, por njëkohësisht deklaroi, se nuk kishte asnjë interes për të kapur sistemin e ri të drejtësisë. Të gjitha ata që do t’i quaja sharlatanë apo papagallë, që kanë nje vit e gjysëm që thonë se LSI nuk e do reformën, po t’u bësh një Vetting, do dalin shumë keq me të dhe asnjë nuk do ta kalojë”, theksoi Meta.
Meta ne fjalen e tij u ndal dhe tek standardi i zgjedhjeve të 18 Qershorit, qe sipas tij, është më i rëndësishëm se sa rezultati. Standardi theksoi ai eshte jetik per ecurine e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
“Mbi të gjitha duhet të kujdesemi për rezultatin e Shqipërisë më 18 Qershor, qe është mjaft jetik për të ardhmen e vendit tonë. Standardi i zgjedhjeve dhe legjitimiteti i tyre është shumë i rëndësishëm për stabilitetin e Shqipërisë pas 18 Qershorit. Por, standardi i tyre është vendimtar për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE”, theksoi Meta.
Standardi i zgjedhjeve, sipas tij, është një panegociueshëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Ndaj do të kujdesemi më shumë sot, për rezultatin që zgjedhjet e vendit tonë do të marrin më 18 Qershor, sepse rezultati i 18 Qershorit është shumë i rëndësishëm për legjitimitetin e gjithë institucioneve ligjvënëse dhe qeverisëse në Shqipëri pas 18 qershorit, se standardi i tyre është mjaft i rëndësishëm për të ecur me zbatimin me sukses dhe besueshmëri të reformës në drejtësi, që është mjaft jetike për Shqipërinë e dekadave që vijnë, theksoi kreu i LSI-se.
Ai apeloi që palët të shfrytëzojnë edhe këtë muaj të shtyrë të punës së komisionit të posaçëm për të përmirësuar klimën, ne menyrë që drejt zgjedhjeve të shkohet për të rritur besimin e qytetarëve se vota e tyre do të jetë e lirë dhe e barabartë dhe askush nuk mund dhe nuk duhet ta cënojë, ta shantazhojë apo tjetërsoje.
Ndaje me miqte