Meta flet për gazetarët pas takimit me ministrin e jashtëm grek
11 Tetor 2016
Pas përfundimit të takimit të delegacionit parlamentar shqiptar me ministrin e jashtëm grek, kryetari i Kuvendit Ilir Meta iu përgjigj interesimit të gazetarëve shqiptarë dhe vendas.
Pyetje: A mund të na thoni shkurtimisht se cilat ishin çështjet që u diskutuan në takimin me ministrin e jashtëm grek?
ILIR META: “Ne kemi diskutuar lidhur me avancimin e axhendës së përbashkët të të dy vendeve, për të forcuar më tej bashkëpunimin bilateral, i cili është mjaft i rëndësishëm për të çuar përpara edhe axhendën strategjike midis të dy vendeve, jo vetëm si dy vende fqinje, por edhe si vende anëtare të NATO-sa, si dy vende që kanë një përgjegjësi të jashtëzakonshme për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë. Aq më tepër tani, kur sfidat janë shtuar për rajonin tonë, për shkak të problemeve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe vendet e Mesdheut. Në këtë drejtim besoj se është i qartë vullneti i dy vendeve, i dy qeverive, por edhe i dy parlamenteve, për të dominuar në axhendën tonë fryma pozitive e bashkëpunimit të hapur, konstruktiv, të sinqertë dhe afatgjatë. Po kështu jam shumë dakord me ministrin e jashtëm grek zotin Kotzias, që e kaluara duhet të na shërbejë si një mësim për të ardhmen, për të mos përsëritur gabimet që kemi bërë në të kaluarën dhe jo të shërbejë një burg për të ardhme. Dhe në këtë drejtim, unë dua të vlerësoj edhe dialogun dhe përpjekjet që bëhen edhe midis dy qeverive, për t’i diskutuar në mënyrë konstruktive problemet e trashëguara nga e kaluara, në mënyrë që diskutimi dhe zgjidhja me racionalitet dhe durim e tyre t’i shërbejë akoma më shumë përshpejtimit të axhendës së përbashkët midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila do t’u sigurojë të dy vendeve një të ardhme shumë më të mirë, të përbashkët, por njëkohësisht edhe rajonale.
Pyetje: Zoti Kotzias ka thënë shumë herë se çështja çame nuk ekziston; madje i ka dërguar edhe një letër komisionerit Hahn, ku thekson se çështja çame nuk mund të diskutohet. Cili është qëndrimi juaj për këtë çështje?
ILIR META: Lidhur me çështjet e së kaluarës, unë besoj se të gjithë jemi dakord që ato nuk duhet të shërbejnë si pengesë për bashkëpunimin midis të dy vendeve dhe unë besoj se ne jemi në një proces shumë pozitiv të përafrimit për shumë çështje të ndryshme të trashëguara nga e kaluara. Këtu do të doja të theksoja sidomos çështjen e rishikimit të teksteve të historisë, sepse kjo ka të bëjë me edukimin me një frymë tjetër të fëmijve tanë dhe të rinjve tanë për të ardhmen. Jo për të ndryshuar historinë, po për të nxjerrë mësime nga ajo që të mos përsëritet më. Në këtë kuadër besoj se për çështjen çame që ju pyetët, ekzistojnë dy qasje të ndryshme. Unë besoj se me durim dhe në mënyrë konstruktive, ne kemi mundësi të ecim për të gjitha problemet e së kaluarës, drejt zgjidhjes, ku përfitojnë të vendet dhe dy popujt tanë. Por ajo që dua të nënvizoj edhe njëherë është se qëllimi i vizitës sonë është të nxisim akoma më tej frymën pozitive të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, në mënyrë që të mos humbasim aspak kohë për t’u përballur me sfidat me të cilat ndeshen të dy vendet dhe vendet e rajonit dhe që janë vendimtare për mirëqenien e qytetarëve tanë.
PYETJE: Duke ditur qëndrimin konstant të Greqisë sa u përket çështjeve të kaluara, si çështja çame dhe pronat e shqiptarëve këtu, por edhe çështjeve të reja, si ajo e zonave detare, a u diskutua me një frymë të re midis palëve?
ILIR META: Unë besoj se është koha për të gjithë faktorët politikës, si në Greqi, si në Shqipëri për t’u përqëndruar më shumë tek e ardhmja dhe për t’i diskutuar në mënyrë të qetë, racionale, konstruktive të gjitha çështjet që trashëgojmë nga e kaluara, çështje për të cilat nuk jemi ne përgjegjës, por ne jemi përgjegjës për të ardhmen e dy vendeve tona. Dhe në këtë drejtim unë besoj në përgjegjshmërinë dhe vullnetin pozitiv të të gjithë faktorëve për t’i parë në këtë këndvështrim edhe çështjet që trashëgohen nga e kaluara.
Ndaje me miqte