Meta për Paktin Detar me Greqinë: E jashtëzakonshme i shërben të dy vendeve
ATSH
11 Mars 2018
TIRANE /ATSH/- Presidenti Ilir Meta e cilësoi të jashtëzakonshme marrëveshjen me Greqinë për detin, teksa shtoi se do t’i shërbente të dy vendeve dhe do të zgjidhte njëherë e mirë ngërçet mes palëve.
Gjatë një interviste për emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Presidenti Meta i pyetur për detin u shpreh se, “Eshtë një marrëveshje e jashtëzakonshme ajo e detit! Nuk ndodh çdo 4 vite, kur ndërrohen qeveritë të bëhen dhe këto marrëveshje të detit. Eshtë e jashtëzakonshme pasi dhe një marrëveshje e nënshkruar para një dekade të shpallet e pavlefshme dhe nga gjykata jonë kushtetuese dhe falë kësaj kemi trashëguar një tjetër problematikë me palën Greke. Këtë çështje duhet ta zgjidhim njëherë e mirë në mënyrën të qëndrueshme, të drejtë dhe të pakontestueshme njëherë e përgjithnjë. Kjo do i shërbente dhe njëherë marrëdhënieve të forta dhe të besueshme mes dy vendeve”, tha Meta.
“Në mes kësaj marrëveshje kemi dhe një vendim të gjykatës Kushtetuese, që ne duhet t’a respektojmë plotësisht këtë vendim dhe nëse ne nuk i plotësojmë këto pika, atëherë rrezikojmë të kemi të njëjtin fund. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe shumë shpejt mund të kemi një ekip negociator që të kemi një marrëveshje solide sa më të shpejtë. Nuk jemi larg momenti për të filluar punë me ekipin negociator, nuk kam lënë ndonjëherë mundësi të kuptohet se nuk do ta jap autorizimin”, vijoi Meta.
“S’kam asnjë arsye pse të ndikohem nga lufta politike, akuzat e ndërsjellta. Unë besoj se qeveria nuk ka interes të favorizojë Greqinë”, vijoi Meta. “Kuptohet gjithashtu se marrëveshja jo vetëm që do bazohet tek Vendimi i gjykatës Kushtetuese, por dhe tek konventat ndërkombëtare. Qeveria ka dhe punë të tjera, përmbytjet në Shkodër, ku ministri Bushati u zgjodh dhe deputet. Pra ka presione të ndryshme, por unë do jem i kujdesshëm ta vlerësoj siç duhet këtë negociatë”, tha Meta.
Ndaje me miqte