Min. grek i mbrojtjes: Do të rifunksionojnë postat ushtarake në kufirin me Shqipërinë
08 Qershor 2015
Ministri grek i mbrojtjes, Panos Kammenos, ka deklaruar se postat ushtarake në kufirin me Shqipërinë do të funksionojnë sërish, pas më shumë se dhjetë vitesh që nga mbyllja e tyre. sipas ministrit, kjo masë do të përmbushë një kërkesë konstante të banorëve të zonave kufitare, pas protestave të vazhdueshme nga këta të fundit se kërcënohet siguria e tyre.
Rreth një vit më parë, krerët e pushtetit lokal të zonave kufitare me Shqipërinë, kishin kërkuar forcimin e masave kundër kriminalitetit në rritje, që sipas tyre vjen nga vendi fqinj.
Ata madje kishin kërkuar që vija kufitare tokësore me Shqipërinë të monitorohej nga agjencia europiane Frontex, e cila aktualisht operon në kufi me Turqinë, dhe ka si mision përballimin e flukseve të emigracionit klandestin.
“Gjatë verës, do të forcohet prezenca ushtarake në zonë. Do të rifunksionojnë postat ushtarake, njësi komandosh dhe helikopterë do të patrullojnë përgjatë kufirit, që t’u japin banorëve ndjenjën e sigurisë”, deklaroi të dielën Kammenos.
Ministri grek i mbrojtjes i bëri këto deklarata gjatë një vizite në postën kufitare të Drimades, një nga vendkalimet me Shqipërinë. Kammenos u pyet edhe për zhvillimet e kohëve të fundit në marrëdhëniet greko-shqiptare, për atë që media greke e quan si “pretendime territoriale të Shqipërisë”.
“Sovraniteti kombëtar i vendit nuk negociohet dhe asgjë nuk nuk mund ta cënojë, qoftë ky kërcënim ekonomik, qoftë kërcënim i jashtëm. Greqia as ka frikë dhe as dorëzon një milimetër të tokës, të ajrit dhe të detit të saj”, përfundoi ministri grek i mbrojtjes.
Ndaje me miqte