Ministri i jashtëm grek: &ldquoGreqia me fat që ka emigrantë nga Shqipëria. Studentët shqiptarë ndër të shkëlqyerit&rdquo
06 Qershor 2015
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, do të vizitojë Tiranën në fund të qershorit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministri, gjatë një takimi informal me korrespondentët e huaj të akredituar në Athinë.
I pyetur për detaje nga korrespondenti i ABC NEWS, Robert Goro, Kotzias tha se vizita do të jetë pjesë e një turi që ai do të zhvillojë në Ballkanin Perëndimor.
“Që me marrjen e detyrës, më janë bërë dy ftesa, një nga Beogradi dhe një nga Tirana”, tha Kotzias dhe vazhdoi: “Nuk doja të realizoja vizita të shkëputura, të cilat do të mund të kishin interpretime të ndryshme. Prandaj vendosa të përfshij gjithë vendet ballkanike në një tur të vetëm”.
“Ende nuk janë fiksuar datat e vizitave dhe për këtë po punohet me ministritë homologe”, shtoi Kotzias.
“Predispozicion pozitiv për zgjidhjen e problemeve”
Sipas ministrit të jashtëm grek, gjatë takimeve në kryeqytetet fqinje, do të shqyrtohen edhe problemet ekzistuese në marrëdhëniet dypalëshe, ku Athina do të shprehë predispozicionin pozitiv për zgjidhjen e tyre.
Si një “parathënie” të kësaj nisme, Kotzias përmendi takimin që kishte zhvilluar pak orë më parë, me zëvendëskryeministrin e FYROM, Fatmir Besimi, një “takim i shkëlqyer”, sipas ministrit, “me një politikan të ri që ndërlidh shumë anë të zhvillimeve në Ballkan, një nga liderët e komunitetit shqiptar në vendin fqinj”. “Biseduam hapur, me sinqeritet dhe në një mënyrë që krijon shpresa për një bazë të mirë ardhmërie të marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje”, theksoi Kotzias.
Gjithsesi, vizita në Tiranë do të jetë veç të tjerash edhe një përpjekje për të “shkrirë akullin” e krijuar një muaj më parë në raportet midis dy kryeqyteteve, pas ragimeve të palës shqiptare ndaj projektit të Greqisë për të kryer kërkime në zonën e detit Jon. Kërkime që sipas Tiranës përfshinin edhe hapësirën e diskutueshme, që u bë shkak të anullohej nga gjykata kushtetuese marrëveshja dypalëshe për kufirin detar.
Por ftohtësia e raporteve zyrtare nuk e ka zbehur konsideratën e lartë që vetë ministri i jashtëm grek ka për shqiptarët në përgjithësi, dhe emigrantët shqiptarë në veçanti.
Kotzias: “Shqiptarët, të hapur, punëtorë, besnikë”
I pyetur nga një korrespondent i medias gjermane, mbi rrezikun e infiltrimit të xhihadistëve nga Shqipëria, Kosove dhe Maqedonia, Kotzias e ka mohuar këtë rrezik dhe ka shpjeguar përse:
“Kam miq shumë emigrantë shqiptarë. Në Universitetin e Pireut, kam patur dhe kam shumë studentë nga Shqipëria, shumica e tyre janë ndër studentët më të shkëlqyer. Mund t’ju garantoj se shqiptarët dhe jo vetëm ata të Shqipërisë, nuk janë një popull fondamentalist, siç mund t’i parqesin mediat ndërkombëtare apo dhe këtu në Greqi. Janë njerëz shumë të hapur, punëtorë të ndershëm dhe miq besnikë. Unë e konsideroj fat për Greqinë që ka emigrantë nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit”, tha ministri i jashtëm grek dhe vazhdoi: “Dje firmosa draftin për dhënien e nënshtetësisë greke brezit të dytë, nga dispozitat e të cilit përfitojnë në masë të madhe fëmijtë e emigrantëve shqiptarë. U ndjeva mirë kur hodha firmën time në atë draft”, u shpreh Kotzias, që ngjante shumë i sinqertë në fjalët e tij.
rOBERT gORO
Ndaje me miqte