Ministri i jashtëm grek Kotzias: Zgjidhje paketë për problemet me Shqipërinë
10 Qershor 2015
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se ka ndërmend t’i propozojë palës shqiptare një zgjidhje paketë për gjithë problemet në marrëdhëniet dypalëshe. Sipas tij, zgjidhja do të jetë realiste, shpresëdhënëse dhe në dobi të të dy popujve.
Kotzias e ka bërë këtë deklaratë gjatë ligjëratës që mbajti në qendrën e studimeve europiane në Kolegjin Saint Antony’s College të Universitetit të Oksfordit. Një pjesë e mirë e ligjëratës me temë “Politika e jashtme greke në kohën e krizës”, u kushtohej marrëdhënieve të Greqisë me vendet fqinje. Marrëdhënie që mbartin jo pak problematika.
“Zgjidhja e problemeve larg nacionalizmave”
“Me Shqipërinë në lidh një e kaluar e përbashkët e pasur, ëndërra dhe perspektiva të përbashkëta”, ka theksuar Kotzias dhe ka shtuar: “Ekzistojnë edhe shumë probleme nga e kaluara, por edhe për shkak të pikëpamjeve të një pjese të lidershipit të vendit fqinj, si mos zbatimi i atyre për të cilat është rënë dakord, kundërshtimi i zbatimit të dispozitave të së drejtës ndërkombëtare, të drejtat e minoritetit grek”.
Gjithmonë duke folur në vetë të dytë, Kotzias ka vazhduar se “ne kemi predispozicionin t’i zgjidhim problemet dhe të kapërcejmë çdo vështirësi. Planifikojmë të propozojmë ditët e ardhshme një zgjidhje paketë për të gjitha problemet, që do të jetë realiste, shpresëdhënëse dhe në dobi të të dy popujve”. Sipas Kotzias, zgjidhja e propozuar do të jetë larg nacionalizmave të tipit ballkanik dhe sjelljeve me të cilat prodhohet më shumë histori nga sa mund të konsumojë rajoni.
Në këtë sens, Kotzias ka folur edhe për marrëdhëniet me Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (FYROM). “Ne punojmë për një FYROM e cila do të jetojë në paqe dhe stabilitet. Dëshirojmë prezencën e vendit fqinj në gjithë forumet ndërkombëtare dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve të saj. Përkundër një pjese të lidershipit të FYROM, kemi bërë propozime të shumëfishta për çështjen e emrit dhe një hap të madh kompromisi nga ana jonë. Propozuam dhe ramë dakord të hartojmë bashkarisht një program masash të besimit. Kemi bërë një propozim shumë interesant për mënyrën, procedurën e zgjidhjes së çështjes së emrit të vendit mik dhe fqinj. Kryesorja për atë është të kapërcejë irredentizmin dhe planet shoviniste për “FYROM e madhe”.
“PDIU, vazhdim i partive naziste”
“Janë plane të ngjashme dhe njëlloj antiproduktive, me ato të atyre që ëndërrojnë “Shqipërinë e madhe”, ka vazhduar Kotzias, “dhe prodhojnë harta (të një “Shqipërie të madhe” që përfshijnë zona të Greqisë së veriut dhe të ishujve të detit Jon, veçanërisht të partnerit të ri qeveritar, partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), që përbën vazhdim të partive naziste, të kohës që rajoni ndodhej nën pushtimin nazist”.
“Greqia, vendi që ka më shumë shqiptarë, se çdo tjetër në botë”
Ministri i jashtm grek ka shprehur konsiderata superlative për emigrantët shqiptarë, duke thënë shprehimisht se “jemi të lumtur që i kemi në shoqërinë tonë”. “Greqia është vendi që mikpret numrin më të madh të shqiptarëve, se çdo vend tjetër në botë. Një përqindje e madhe e GDP-së (prodhimit të përgjithshëm të brendshëm) u dedikohet atyre. Në universitetet tona, ndër studentët më të mirë renditen çdo vit fëmijtë e emigrantëve shqiptarë. Aktualisht po promovojmë një ligj të ri për dhënien e nënshtetësisë. Vendi ynë, qeveria jonë, është nga më miqësoret dhe më të drejtat në botë sa u përket emigrantëve.
Kotzias planifikon të zhvillojë një turne rajonal në fund të këtij muaji, dhe një nga stacionet, siç ka thënë vetë, do të jetë edhe Tirana. Ka shumë gjasa që gjatë kësaj vizite, Kotzias t’u prezantojë mikpritësve shqiptarë, paketën për zgjidhjen e problemeve dypalëshe.
Ndaje me miqte