Ministri i jashtëm grek: &ldquoShqiptarët kërkonin negociim për çështjen çame ne nuk e pranuam&rdquo
Robert GORO
06 Tetor 2016
Tensionimi i radhës në marrëdhëniet Athinë-Tiranë, ka shënuar të mërkurën një seri tjetër. Ministri i jashtëm grek ka dalë të flasë publikisht, pasi mediat vendase kanë përcjellë deklaratën e shefit të diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati, se pala greke kishte pranuar të diskutohej edhe çështja çame.
Bushati citohet të ketë thënë se të dy palët kishin hartuar nga një non paper për axhendën e tyre dhe se madje kopje të dy dokumentave i kanë dhënë sa komisionerit Hahn, aq edhe shefes së politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini.
Duke komentuar këtë informacion, portali grek, To Vima, vë në dukje një fakt që sipas portalit, është lënë jashtë vëmendjes: në deklaratën e tij tashmë të famshme, komisioneri Hahn ka theksuar mes të tjerash se Brukseli ka përshëndetur angazhimin e ri diplomatik për shkëmbimin e letrave midis ministrave të jashtëm të Greqisë dhe të Shqipërisë. “Rrjedhimisht”, konkludon To Vima, “Hahn duket se është vënë n[ dijeni nga ministri i jashtëm grek dhe i ka dërguar letrën, me gjasë non papewrin që përmend zoti Bushati”.
Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka dalë sot në një intervistë për radion vendase Alpha, ku paraqet versionin e tij për non paper-at.
“Para pesë muajsh bëmë një non paper dhe i thamë palës shqiptare të ulemi dhe të diskutojmë për problemet që mbeten të hapura 50 vitet e fundit. Ata (pala shqiptare) na bënë një kundërpropozim, në të cilin përfshihej edhe çështja çame. Ne në mënyrë kategorike u thamë se kjo çështje nuk ishte objekt diskutimi, sepse është jashtë negociatave. Ata ngulnin këmbë, por ne u thamë që nuk negociojmë”, i tha ministri i jashtëm grek radios Alpha.
Më tej, Kotzias e ka cilësuar si “idiot” dhe “të cekët” pozicionimin e komisionerit Hahn, duke shtuar se ky i fundit kërkoi falje, mirëpo “bishti mbeti”.
Gjithsesi, Kotzias ka kundërshtuar kritikat e mediave greke, duke thënë se Athina thjesht e ka informuar Komisionin Europian. “Nuk kërkojmë nga europianët të negociojmë. Ne negociojmë me shqiptarët dhe shqiptarët me ne”, ka përfunduar ministri i jashtëm grek.
MPJ greke kundërshton akuzat se po negocion për çështjen çame
Edhe Ministria e jashtme greke u është rikthyer reagimeve pas deklaratës së komisionerit Hahn për çështjen çame. Kësaj here, për të kundërshtuar kritikat e mediave dhe forcave politike vendase, që akuzojnë qeverinë se po negocion për çështjen çame.
Pasditen e të mërkurës, ministria e jashtme ka dalë edhe zyrtarisht me një deklaratë që titullohet “E vërteta mbi përmbajtjen e saktë të dialogut greko-shqiptar”.
“Greqia nuk e diskuton çështjen ‘çame’ dhe as i negocion me palë të treta vendimnet e gjykatave greke kundër kujtdo që bashkëpunoi me okupatorin gjerman.
Eshtë e vërtetë se ministria e jashtme greke i propozoi Shqipërisë negociimin për një sërë çështjesh që janë të hapura ndërmjet të dy vendeve. Po në këto çështje nuk përfshihet ajo ‘çame’. Pala shqiptare e dëshironte dhe e kërkonte. Pala greke nuk e pranoi. Sa i përket non paperit të ministrisë së jashtme greke që iu dha si propozim për negociata palës shqiptare, ka një referencë të vetme ndaj çështjes çame, në paragrafin e dytë të pikës B2, ku thuhet se “në asnjë rast nuk rezultojnë të drejta për të ashtuquajturit çamë”. Dhe kjo ishte për ta bërë të qartë se çështja çpame nuk mund të përbëjë objekt negociimi”, thekson ministria e jashtme greke.
Ministria e jashtme greke vë në dukje se deklarata e saj bëhet me qëllim që t’u japë përgjigje “qarqeve të njohura në vend që me lehtësi të madhe adoptojnë propagandën e palëve të treta kundër Greqisë”.
Ndaje me miqte