0030 210 33 18 483

Ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj vizitë zyrtare në Athinë

Tribuna 06 Maj 2017

Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka zhvilluar një vizitë pune në Athinë, ku është pritur nga homologu i tij grek, Nikos Kotzias. Edhe pse të dy palët konstatojnë se marrëdhëniet ndërshtetërore janë në një nivel shumë të mira, Greqia do të vazhdojë mos ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Pas takimit Kotzias - Hoxhaj, nuk ka pasur deklarata për shtyp. Ndoshta pse ka munguar një lajm që Prishtina e pret prej vitesh: ai i njohjes nga Athina të pavarësisë së Kosovës. Por edhe pa këtë njohje marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve po zhvillohen normalisht, aq sa niveli i tyre të konsiderohet i shkëlqyer. Këtë duket se kanë konstatuar edhe Kotzias e Hoxhaj në takimin e tyre zyrtar, që është pasuar edhe nga një drekë pune. Përndryshe, vetë ministri i jashtëm i Kosovës tha gjatë një interviste ekskluzive se marrëdhëniet me Greqinë janë të shkëlqyera, marrëdhënie partneriteti, “por ajo çka i mungon këtij raporti, është pikërisht vendimi i Greqisë për ta njohur Kosovën si shtet sovran e të pavarur”. Por gjithsesi, Hoxhaj ka marrë konfirmimin se Athina do të mbështesë Kosovën për anëtarësimin në organizmat ndërkombëtarë, ashtu siç ka bërë deri tani, në mjaft raste. “Ne kemi lëvizur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërshtetëror, ndërinstitucional mes dy vendeve tona, drejt thellimit të bashkëpunimit ekonomik, - meqë para dy muajsh kemi pasur dhe një konferencë të investitorëve grekë në Prishtinë - dhe jemi të interesuar që me Greqinë të koordinohemi për tema rajonale dhe për Ballkanin Perëndimor që Greqia më tutje ta mbështetë axhendën europiane të Kosovës si dhe të mbështesë Kosovën për t’u bërë pjesë e sistemit ndërkombëtar, e shoqërisë ndërkombëtare, përmes anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare”, theksoi ministri Hoxhaj. Në axhendën e takimit, kanë qenë çështje që lidhen me bashkëpunimin në fushën ekonomike, si dhe atë arsimore dhe kulturore. Por diskutimi është fokusuar edhe në zhvillimet e fundit në rajon, e sidomos në situatën shqetësuese në Maqedoni. “Natyrisht që ne kemi biseduar për gjendjen në rajon si tërësi, por edhe për situatën për secilin vend veç e veç. Qasja jonë si Kosovë është që është në interes të Ballkanit që të ketë një Maqedoni stabile, është në interes të këtij vendi që të integrohet në strukturat euro-atlantike, dhe natyrisht që Greqia mund ta ketë një rol të rëndësishëm në një situatë të tillë. Mirëpo procesi që ka filluar atje, sikurse ka ndodhur zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, që është një avancim i të drejtave të shqiptarëve atje, duhet të përmbyllet me formimin e qeverisë së re dhe mendoj qe në momentin që në Shkup do të ketë një qeveri të re, edhe Athina, edhe Tirana, edhe Prishtina, edhe Sofia, por edhe Bashkimi Europian, Brukseli dhe Uashingtoni, mund ta japin kontributin e tyre”, ka theksuar ministri i jashtëm i Kosovës.

Ndaje me miqte