0030 210 33 18 483

Miratohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës

05 Maj 2016

Komisioni Europian i propozoi të mërkurën Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për Kosovën dhe vendosjen e saj në listën e vendeve me lëvizje të lirë. Propozimi është publikuar bashkë me vlerësimin pozitiv të Komisionit për përmbushjen nga ana e Kosovës të kërkesave që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Në një deklaratë të Komisionerit për Emigracionin, ?ështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos thuhet se "ne kemi ndjekur zotimin tonë që të propozojmë udhëtimin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian për popullin e Kosovës me pasaporta biometrike - lehtësimin e kontakteve dhe forcimin e biznesit, lidhjet sociale dhe kulturore në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës”. Avramopoulos shtoi se, “Ky është rezultat i punës së madhe dhe përpjekjeve të suksesshme të autoriteteve të Kosovës në bërjen e reformave të gjera dhe të vështira në fushën e drejtësisë, punëve të brendshme dhe më gjerë, që kanë ndikim në fusha të tilla si sundimi i ligjit dhe reformat në drejtësi. E di sa i rëndësishëm është për popullin e Kosovës udhëtimi pa viza dhe jam shumë i kënaqur me progresin e arritur. Shpresoj që Parlamenti Evropian dhe Këshilli do ta miratojnë shumë shpejtë propozimin tonë”. Në momentin që propozimi miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike nuk do të kenë nevojë për vizë kur udhëtojnë për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në vendet anëtare të BE-së me përjashtim të Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në katër vendet jo-anëtare të BE-së të përfshira në Shengen (Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicrra). Përjashtimi i vizave parasheh vetëm udhëtim të shkurtër deri në 90 ditë për çfarëdo periudhe 180 ditore për qëllime biznesi, turistike ose familjare. Qytetarët e BE-së tashmë mund të udhëtojnë pa viza për në Kosovë. Kushtet tjera për hyrje në zonën Shengen do të vazhdojnë të aplikohen, duke përfshirë nevojën për të dëshmuar mjete të mjaftueshme financiare dhe arsyen e udhëtimit. Përjashtimi i vizave nuk ofron të drejtën për punë në BE. Komisioni Evropian e lançoi dialogun për liberalizim të vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Në qershor 2012, Komisioni i dorëzoi autoriteteve të Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, i cili identifikoi masat legjislative dhe institucionale që Kosova do duhej t’i miratojë dhe zbatojë për të përparuar drejt liberalizimit të vizave. Udhërrëfyesi paraqiti një listë gjithëpërfshirëse të reformave që Kosovës i kërkohej t’i zbatojë, me qëllim që të përparojë drejt liberalizimit të vizave, duke përfshirë riintegrimin dhe riatdhesimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve dhe migrimin, azilin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të drejtat themelore që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes. Komisioni paraprakisht ka miratuar tri raporte për progresin në Kosovë në kuadër të dialogut për viza: i pari më 8 shkurt 2013; i dyti më 24 korrik 2014; i treti më 18 dhjetor 2015 dhe i katërti më 4 maj 2016. Raporti i tretë konkludoi se vetëm tetë kritere mbetën të papërfunduara dhe se sapo Kosova t’i përmbushë këto kritere të mbetura dhe të dëshmojë se masat e ndërmarra për të parandaluar një fazë të re migrimi në BE janë efektive, Komisioni do të propozojë heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndaje me miqte