Miratohet në Parlamentin grek buxheti i vitit 2017
TRIBUNA
11 Dhjetor 2016
Parlamenti grek ka miratuar vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës, buxhetin e vitit 2017. 152 deputetë votuan në favor të projektbuxhetit të paraqitur nga qeveria, ndërkohë që 146 deputetë votuan kundër.
Precedura e diskutimeve në parlament përfundoi vonë të shtunën në mbrëmje, pas pozicionimeve të kryeministrit, liderit të opozitës dhe kryetarëve të partive të tjera.
Ndër çështjet që dominuan debatin parlamentar ishte inspektimi nga kreditorët dhe lehtësimi i borxhit, premtimet e kryeministrit për mbështetjen e pensionistëve, por edhe kërkesa konstante e Demokracisë së Re për zgjedhje të parakohshme.
“Populli na dha një votëbesim të gjerë, një mandat katërvjeçar dhe do të zbatojmë deri në fund”, deklaroi kryeministri Aleksis Tsipras, në përgjigje të kërkesës së opozitës për të shkuar në zgjedhje të reja. “Në përfundim të katërvjeçarit, populli do të ketë mundësinë që të gjykojë dhe të krahasojë të dy qeverisjet”, shtoi Tsipras. “Zgjedhjet e radhës në vend janë eurozgjedhjet në verën e 2019-s dhe zgjedhjet kombëtare që do të mbahen në vjeshtë 2019. Asnjë ditë më herët”, deklaroi Tsipras në mënyrë kategorike.
Nga ana tjetër, kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotsakis, përsëriti se ndryshimi politik është i nevojshëm. “Koha për një qeveri të aftë që do të marrë në duar fatet e vendit, është afër”, deklaroi Mitsotakis. “Zoti Tsipras, ju vështroj drejt në sy dhe po ju them se qëndrimi juaj në pushtet i bën dëm vendit. Sa më shpejt që të largoheni, aq më mirë për atdheun. Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për problemet e vendit”, theksoi kryetari i Demokracisë së Re.
Ndaje me miqte