Mitsotakis: Greqisë i nevojitet një qeveri me plan pune
Tribuna
26 Prill 2017
I sigurt se Greqia mund të dalë nga kriza duke u mbështetur në forcat e veta, paraqitet kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis. Në një intervistë për gazetën “Ta Nea”, lideri i opozitës thekson se kjo mund të bëhet me më pak shpenzime dhe me më pak taksa, me një rregullim të guximshëm të “kredive të këqija” dhe me transfuzion likuiditetesh në ekonominë greke..
Mitsotakis i thotë “jo” një shteti burokratik, duke theksuar se janë të domosdoshme privatizimet që do të sjellin kompetivitet dhe vende pune, por edhe reformat e guximshme që do të çlirojnë energjitë afariste të grekëve. “Plani ynë është ambicioz, i punuar mirë dhe realist”, duke vënë në dukje se “qeveria e sotme po sjell një memorandum të katërt dhe madje pa financim”.
“Mund të jemi në vitin 2017, mirëpo zoti Tsipras dhe zoti Kammenos -pa marrë mendimin e qytetarëve- hipotekojnë të ardhmen e vendit nga viti 2019 e më tej. Nuk është nevoja t’ju them se qeveria po përgatitet të votojë gjithë ato që angazhohet se nuk do të bëjë: reduktime të pensioneve dhe ulja të limitit të të ardhurave të patatueshme. Mashtrimi i qytetarëve është pa precedent”, thekson Mitsotakis.
Lideri i opozitës thekson nevojën e një qeverie tjetër, një qeverie të Demokracisë së Re, “që do të mundë të avancojë me vendosmëri në ndryshimet e guximshme që nevojiten për ta nxjerrë vendin në rrugën e zhvillimit dhe të jepë një tjetër mesazh për drejtimin e duhur, brenda dhe jashtë Greqisë. Dhe sigurisht, të shfrytëzojë gjithçka më të mirë disponon vendi në nivel të potencialeve njerëzore. Kemi dhe diturinë, edhe aftësinë që qytetarët të ndjejnë sërish sigurinë e kthimit në normalitet”, thekson kryetari i Demokracisë së Re.
Ndaje me miqte