Mitsotakis: &ldquoNuk ka arsye të festohet për daljen në tregjet financiare&rdquo
Tribuna
27 Korrik 2017
Nuk ka asnjë arsye që qeveria të festojë për daljen në tregjet financiare, ka deklaruar kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis. Sipas tij, emetimi i obligacionit të martën “vërtetoi se janë humbur tre vjet dhe se qeveria Tsipras - Kammenos dështoi që të zgjidhë problemet e vendit”.
“Që ta them në mënyrë figurative, ishim në katin e parë, ramë në bodrum (ipogjio) dhe tani po festojmë pse arritëm të kthehemi në katin përdhes (isogjio)”, tha shefi i opozitës.
Mitsotakis vuri në dukje se Greqia mori hua “shumë më të shtrenjtë” në raport me vende të tjera europiane dhe po të bësh llogaritë, kostoja e kreditimit ishte më e lartë nga dalja e mëparshme në tregje, në 2014.
Shefi i opozitës shtoi se gjatë trevjeçarit “të humbur” (e ka fjalën për qeverisjen e Tsipras), ekonomia greke ka pësuar një dëm prej 100 miliardë eurosh dhe se shoqërisë i është shtuar barra e tatimeve dhe kontributeve.
“Eshtë bërë një dëm i madh në trupin e ekonomisë reale. Një dëm që do të kërkojë kohë të rikuperohet. Dhe një dëm që përfundimisht do të rikuperohet vetëm përmes një ndryshimi politik dhe me një qeveri e cila do të ketë një plan të kompletuar për zhvillimin e vendit”, tha Mitsotakis.
Ndaje me miqte