Mitsotakis: &ldquoPlan kombëtar për refugjatët&rdquo
25 Shkurt 2016
Nevojën që politika greke të trajtojë e bashkuar, “me një plan kombëtar që sot nuk ekziston”, problemin e refugjatëve, ka theksuar kryetari i Demokracisë së Re, Kyriakos Mitsotakis.
Në deklaratën e vet, Mitsotakis vë në dukje se e diskutoi këtë çështje me Presidentin e Republikës dhe shton se “Eshtë absolutisht e nevojshme të thirret konsulta e liderëve politikë para samitit BE-Turqi, me qëllim që vendi të ketë një strategji të përbashkët kombëtare dhe një plan aksioni para datës 6 mars”.
Të njëjtin propozim Mitsotakis ia shprehu edhe kryeministrit Tsipras në një bisedë telefonike.
Në deklaratën e vet Mitsotakis shënon: “Situata në atdheun tonë po bëhet çdo ditë e më kritike. Greqia po pret, përtej mundësive të veta, valë të vazhdueshme refugjatësh dhe emigrantësh. Kohezioni i Europës po pëson goditje të fuqishme. Një problem i madh europian dhe global, me dimensione humanitare, mund të shndërrohet në një problem kardinal për sigurinë kombëtare dhe në fund, sovraniteti kombëtar për Greqinë”.
Mitsotakis i referohet takimit që pati të mërkurën me ambasadorin e Turqisë në Athinë dhe nënvizon se “vendi fqinj duhet të respektojë angazhimet e veta. Duhet ta kuptojë se bashkëpunimi pa pengesa BE-Turqi për kufizimin e flukseve të emigrantëve është me dobi reciproke. Nuk ka vend as për tërheqje nga marrëveshjet në NATO, as për zvarritje. Krimi i trafikimit të paligjshëm të njerëzve të dëshpëruar duhet të ndalojë tani”.
Mitsotakis kërkon nga qeveria greke: “të zbatojë me urgjencë një plan kombëtar të përballimit emergjent të krizës së emigracionit, të ndalojë trafikimin e paskrupullt të emigrantëve brenda territorit grek, të krijohen jo vetëm vende pritjeje të hapura, por edhe të nbyllura për qëndrimin e përkohshëm për refugjatët dhe emigrantët e paligjshëm respektivisht, të forcohet me të gjitha mënyrat veprimtaria e Mbrojtjes Bregdetare, të ndërmerren aksione për informimin e opinionit ndërkombëtar me qëllim që të tregohet realiteti i sotëm”.
Në fund, shefi i opozitës nënvizon: “Greqia nuk mundet dhe nuk duron të shndërrohet në një depo shpirtrash. Qëndrimi solidarizues i popullit grek nuk mjafton. Flukset e paligjshme duhet të ndalojnë tani, me çdo mjet. Koha nuk pret. Qeveria ka përgjegjësinë që të ruajë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit”.
Tribuna
Ndaje me miqte