Mitsotakis: Zgjedhjet pjesë e zgjidhjes së problemit
TRIBUNA
18 Janar 2017
Kryetari i Demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis ka shprehur shqetësimin për zvarritjet në negociatat e qeverisë me kreditorët. Ai ka akuzuar qeverinë dhe personalisht kryeministrin, se po negociojnë me njerin sy të drejtuar nga kreditorët dhe me tjetrin nga grupimet që përbëjnë SYRIZA-n.
“Po rrezikojmë të përjetojmë situata si gjashtëmujorin e parë të 2015-s”, tha Mitsotakis, duke shtuar se ai është i bindur që qeveria aktuale nuk mund ta nxjerrë vendin nga pushteti i memorandumeve.
“Në rastin më të mirë, Greqia do të mbetet në gjendje reanimacioni; por as kjo nuk është e sigurt me rrethanat e sotme”, vërejti lideri i opozitës gjatë një debati tël ashpër parlamentar, të mërkurën, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Tsipras.
Mitsotakis përsëriti kërkesën për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se zgjedhjet tashmë nuk janë më problem, por pjesë e zgjidhjes së problemit.
Mitsotakis i bëri thirrje qeverisë që të pushojë së mbajturi peng popullin grek dhe paralajmëroi kryeministrin që “të mos luajë me ligjin e zgjedhjeve”.
“Zgjedhjet do të bëhen me ligjin ekzistues dhe ato të mëpasmet me ligjin që do të paraqesë menjëherë Demokracia e Re”, theksoi Mitsotakis, duke i kujtuar qeverisë se duhet të mësojë që rregulli bazë i demokracisë është edhe humbja në zgjedhje. “Kanë humbur edhe të tjerë para jush, më të rëndësishëm”, theksoi Mitsotakis.
Ndaje me miqte