Mitsotakis takime në Uashington
Tribuna
15 Mars 2018
Greqia do të jetë “surpriza europiane e zhvillimit ekonomik”. Këtë mesazh ka përcjellë kryetari i demokracisë së re, Kyriakos Mitsotakis gjatë takimeve me zyrtarë amerikanë në Uashington.
Duke prezantuar projektin e tij për tërheqjen e investimeve të huaja, Mitsotakis tha se “avantazhet krahasuese të atdheut tim janë unikale, ashtu si dhe potenciali njerëzor. E vetmja që duhet është një qeveri e re që do të garantojë sigurinë dhe do të sanksionojë një sistem tatimor tërheqës dhe sidomos konstant”.
Siç raporton agjencia ANA-MPA, nënsekretari amerikan për Thesarin, David Malpass tregoi interesim të veçantë për planin zhvillimor që i prezantoi zoti Mitsotakis dhe që është një hartë rrugore për ditën që do të pasojë daljen e Greqisë nga programi i shpëtimit.
Biseda u përqendrua në reformat realiste që do të mund të shfrytëzonin avantazhet krahasimore të ekonomisë greke dhe kështu të hapin rrugën për investimet e huaja, që konsiderohen të domosdoshme për rimëkëmbjen ekonomike.
Nënsekretari amerikan i Thesarit tha se Shtetet e Bashkuara synojnë bashkëpunimin ekonomik me vende që kanë tregje të lira dhe politikë të hapur ekonomike. Në këtë kuadër, u shqyrtuan reforma konkrete, si reduktimi i burokracisë dhe sistemi i qëndrueshëm tatimor, që do të mund të përmirësonin imazhin e Greqisë në drejtim të investimeve dhe ta shndërronin në një destinacion të sigurt për investitorët e huaj.
Siç komenton agjencia ANA-MPA, nga takimet e liderit të opozitës në Uashington rezulton konkluzioni se amerikanët dëshirojnë të shohin një mobilizim nga ana e Greqisë në fushën e reformave, pse konsiderojnë që rimëkëmbja ekonomike do ta ndihmonte vendin që të forconte pozitën e saj strategjike në NATO, por edhe në raport me vendet fqinje.
Ndaje me miqte