Mitsotakis sulmon Tsiprasin: &ldquoShkëmbeu qëndrimin në pushtet me masat e ashpra&rdquo
Tribuna
06 Maj 2017
Lideri i opozitës, Kyriakos Mitsotakis, ka sulmuar ashpër kryeministrin Aleksis Tsipras. Kryetari i Demokracisë së Re e akuzoi kryeministrin se “në këmbim të qëndrimit të tij në pushtet, pranoi gjithçka, duke sjellë një paketë masash tepër të ashpra”.
Gjatë një interviste për televizionin Skai dhe gazetarin Jorgos Aftias, Mitsotakis theksoi se durimi i popullit po merr fund, dhe vuri në dukje se zoti Tsipras u dha kreditorëve gjithçka dhe nuk fitoi asgjë. Sipas liderit të opozitës, me paketën e re të masave pensionistët, jo vetëm që nuk do të marrin pensionin e 13-të, por do të humbasin edhe të tjera, ndërsa edhe rrogëtarët do të shohin reduktime të reja në pagat e tyre dhe se edhe ata që deri tani nuk paguanin taksa do të paguajnë gati një rrogë mujore.
Duke e cilësuar si të “pabesueshëm” kryeministrin, Mitsotakis shprehu vlerësimin e se partnerët europianë do të diskutojnë seriozisht me një qeveri që u beson reformave. “Zoti Tsipras e kishte një shans dhe e humbi; kishte një marrëveshje më të mirë për vendin dhe e flaku në koshin e plehrave”, theksoi.
Mitsotakis tha se opozita do të prezantojë së shpejti një hartë rrugore se si do të bëhet Greqia një destinacion tërheqës për investime. “Besojmë në iniciativën private. Zoti Tsipras ëndërron një shtet të madh që do të japë asistencë sociale dhe dreke falas. Unë besoj në forcën e ekonomisë së lirë. Një zhvillim ekonomik në nivelin 4%, mund të krijojë 120 mijë vende të reja pune në vit. Vizioni im nuk është një vend ku ëndrra e të riut është si të gjejë një kontratë me kohë të kufizuar që pastaj të vijë politikani e t’i thotë më voto, që të emëroj definitivisht”, tha Mitsotakis duke shtuar që, për sa kohë ekonomia nuk zhvillohet, aq më shumë do të ketë presione nga jashtë.
“Kam një projekt për ta vënë në rrugë ekonominë produktive. Dhe atëherë gradualisht do të nisë të përmirësohet situata”, tha Mitsotakis duke shtuar se Europa ka nevojë për një partner të besueshëm në Greqi. Ka nevojë për “një qeveri të vendosur për zbatimin e ndryshimeve, të krijojmë një administratë publike serioze, shkolla të mira, shërbim shëndetësor. Dhe sigurisht, në çështjet e sigurisë nuk do të bëj asnjë lëshim”, tha Mitsotakis.
Ndaje me miqte