Mogherini: Reformat në Shqipëri kërkesë e qytetarëve
Tribuna
22 Korrik 2017
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Federica Mogherini, ka deklaruar se reformat që duhet të realizojë Shqipëria, janë më së pari kërkesa të vetë qytetarëve.
Mogherini e bëri këtë deklaratë në Athinë, pas takimit me ministrin e jashtëm grek, Nikos Kotzias.
“Puna që bëjmë me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përqendrohen në prioritetet që para së gjithash u referohen qytetarët e këtyre vendeve. Kam parë se qeveria aktuale në Shqipëri është marrë veçanërisht me reformat e përgjithshme, por edhe me reformën kundër korrupsionit si dhe gjithë ato reforma ekonomike dhe sociale që nevojiten.
E njëjta vlen edhe për partnerët e tjerë në Ballkanin Perëndimor. Konstatoj mirëkuptim nga ana e lidershipit të këtyre vendeve, se reformat nuk janë një kërkesë e Brukselit, por diçka që kërkojnë qytetarët e këtyre vendeve të realizohen... Konsiderojmë se rajoni i ka nevojë reformat dhe se forcat reformuese, që mund të ecin në rrugën drejt Bashkimit Europian, janë në dobi të qytetarëve në këto vende”, tha Mogherini.
Nga ana e vet, ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, tha se Athina mbështet politikën e BE-së për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Mbështesim politikën e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, gjithmonë me përmbushjen e kritereve”, tha Kotzias, duke veçuar mbështetjen ndaj Shqipërisë, por edhe të Maqedonisë. Duke shtuar për këtë të fundit se shpreson që kushti për zgjidhjen e çështjes së emrit, të jetë më i lehtë sot nga sa dje”.
Mogherini mbërriti në Athinë për një vizitë zyrtare, të premten në mesditë. Ajo u prit dhe nga kryeministri grek, Aleksis Tsipras. Në këtë takim, Mogherini i shprehu Tsiprasit, solidaritetin e gjithë vendeve anëtare të BE-së, për banorët e ishullit Kos që u godit nga tërmeti mesnatën e të premtes.
Ndaje me miqte