0030 210 33 18 483

Mos e shit votën...lirë. Një sugjerim si mund ta shesësh atë shumë shtrenjtë

02 Qershor 2015

“Hapni sytë, vota juaj kushton shumë, mos e shisni për një muaj jetë më të mirë, kur keni mundësi që me anë të saj, dalëngadalë, zgjedhje pas zgjedhjesh, mund të negocioni për një jetë më të mirë. Nuk keni nevojë as të merrni rrugët e botës për t’u ushqyer dhe as të varni veten nga depresioni se nuk mbani dot familjen me bukë. Rivlerësoni mundësitë e mëdha që keni dhe veproni me mençuri. Do ta shihni se sa mirë do funksionojë!”... Nga Nikollaq Neranxi Nuk e evitoj dot. Kudo ku ulem nuk bëhet bisedë tjetër, përveçse puna e shitjes së votës. “Mua më kërkuan kaq vota dhe më premtuan këtë favor!”. Të gjithë flasin dhe askush nuk e denoncon aktin publikisht, me ndonjë përjashtim të rrallë. Pak ditë më parë një analist i njohur, guxoi ta thoshte në televizion: “Njerit i kishin kërkuar 30 vota në këmbim të një vendi pune” - deklaroi ai. Meqë jemi në këtë situatë ku të gjithë i kanë hyrë tregtisë së votës, edhe unë mendoj se në këto kushte nuk është rasti për të denoncuar asgjë, fundja ku do denoncosh!? Ky mbase është momenti i duhur për të negociuar. Nëse marrim rastin e atij zotërisë që i është dhënë detyra të peshkojë 30 vota në këmbim të një vendi pune, unë sugjeroj që të mos e pranojë në asnjë mënyrë, nuk është biznes me leverdi. Puna që i është premtuar, me shumë gjasa, mund të jetë në shtet dhe ju e dini që në punë shteti nuk mund të punësohen kaq shumë njerëz. Kështu që ai mund të rrijë në atë vend pune maksimumi 6 muaj, sepse do t'i duhet t'i lirojë vendin një tjetri që i është premtuar gjithashtu një vend pune në këmbim të 30 votave. Ky zotëria, duke e ditur që do rrijë pak në atë vend pune, mund edhe të bëjë ndonjë abuzim, se kushedi kur i bie më rradha të ripunësohet se ai e pret nga Partia atë shërbim. E më pas kur të ndërrohen pushtetet, mund edhe të dënohet për abuzim me detyrën shtetërore, kështu që nuk i leverdis. Për zotërinë e 30 votave dhe për të gjithë shqiptarët që po mendojnë ç'të bëjnë me votën e tyre, kam një sugjerim: Edhe nëse jeni shumë të varfër, mos mendoni se jeni njerëz pa peshë në këtë shoqëri, vota juaj është thesar për politikanët. Ju vetëm reflektoni se çfarë ju kanë premtuar herën e fundit në këmbim të votës dhe çfarë premtimesh nuk kanë mbajtur, në mënyrë që ato premtime t'ju a kërkoni t'i realizojnë tani, nëse e duan votën tuaj edhe këtë herë. Nuk mund të bëni një kontratë të re me ta, ndërkohë që nuk kanë përmbushur kushtet e kontratës së vjetër. Po ju sugjeroj idenë e parë e cila do iu japë menjëherë efekt. Siç e dini, një nga premtimet e bujshme të socialistëve, ishte ulja e TVSH-së për ushqimet dhe energjinë. “Për çdo kafshatë buke që konsumon qytetari, qeveria i merr 20 % të vlerës”, - thoshte në Parlament një deputet socialist gjatë kohës që ishte në opozitë dhe vazhdonte: “Ne kërkojmë që të reduktojmë ose të heqim TVSH-në për disa produkte bazë konsumi. Nuk mund të paguajnë qytetarët 20% më shumë për ushqimet, njësoj si për çdo mall luksi”,- shprehej pushtetari i sotëm e opozitari i djeshëm. Ky është një premtim i pambajtuar, të cilin ju keni mundësi t'ia kërkoni sot në këmbim të votës dhe nëse realizohet, do të shikoni se për të njëjtat ushqime që deri dje keni harxhuar 10 mijë lekë, sot do harxhoni 8 mijë lekë dhe kjo me një negociatë të thjeshtë fare e cila është veçse një ligj në Parlament. Të njëjtën gjë kërkoni edhe për energjinë dhe ujin, si mallra jetike të cilat duhet të zhvishen nga TVSH-ja. Nëse do ju thonë se ne e gjetëm arkën bosh për fajin e Saliut dhe nuk e ulim dot se na duhen para për buxhetin e shtetit, do iu përgjigjeni se mund të realizohet duke rritur TVSH-në për produktet e luksit, pa të cilat mund mbijetohet, meqë shumica prej jush ka probleme mbijetese. Nëse ju thonë se kjo nuk është një praktikë që përdoret në botë, ju do i përgjigjeni se kjo është një gënjeshtër, sepse me veshët tuaj keni dëgjuar Mimi Kodhelin kur ishte në opozitë e cila thoshte: “TVSH-ja për ushqimet bazë, në Spanjë është 4%, Në Irlandë 0%, Në Itali 4%, në Luksemburg 3%, në Maltë dhe në Britaninë e Madhe 0%”. Madje do të shtoni se edhe në Kosovë, në një shtet të ri që vjen vetëm pak vite nga vrasjet e djegjet e genocidit serb, TVSH-ja është më e ulët se e jona! Nëse ju thonë se përshkallëzimi i TVSH-së rrit kostot administrative, për administrimin e këtij lloj tatimi, do i thoni që të mos punësojnë në shtet militantë jashtë profilit, për faktin se i keni borxh 30 vota. Ata janë individë që dinë vetëm aritmetikën e Partisë. Nëse punësohen njerëz sipas meritës, ata do dinë ta llogarisin shumë mirë TVSH-në e përshkallëzuar dhe shumë punë të tjera që duhen bërë mirë në një shtet normal. Nëse ju thonë që e kanë bërë 0 TVSH-në e ilaçeve, do t’u përgjigjeni se ju nuk e mbushni barkun me ilaçe, por me ushqime, dhe doni të jetë sa më e largët dita që do t'i përdorni ato. Por kjo fatkeqësisht mund të ndodhë shumë shpejt, nëse do të jeni të kequshqyer. Madje do t’iu thoni se të kequshqyerit e sëmurë, do të jenë një barrë akoma më e rëndë për shtetin, sepse ka kosto kurimi, kështu që më mirë të ushqehemi dhe të mos përfundojmë spitaleve. Nëse do t’ju thonë se ata mendojnë ditë e natë për ju, prandaj kanë rritur tatim fitimin e bizneseve nga 10 në 15%, mos i besoni! Bizneset mbijetojnë vetëm nëse ju konsumatorët do të blini, por nëse ju jeni të varfër, edhe biznesi do jetë si ju. Pra tatim fitimi, si 10%, si 15% apo edhe 50%, njësoj është. Sepse bëhet fjalë për të vjelur përqindjen e asgjësë. Pastaj do t’ju vinë këta që janë në opozitë dhe do paraqiten në derën tuaj si shpëtimtarë. Të njëjtën gjë kërkojuni edhe atyre. Nëse ju thonë se nuk kanë gjë në dorë, ta dini se po ju mashtrojnë rëndë. Teatri që luajnë ata është po aq i shpifur sa edhe i pushtetarëve. Do t’iu tregoni se keni identifikuar një sindromë që e kanë të njëjtë të gjithë: Sherefedin Shehu, Florion Mima, Taulant Balla, Erjon Braçe etj, ngjajnë si dy pika uji teksa kur janë në opozitë bërtasin për TVSH-të të ulta se populli po varfërohet dhe sapo vijnë në pushtet thonë të kundërtën e të njëjtit argument. Prandaj mos u emcionioni fare teksa ju hiqen si fakirë. Ata kanë shumë në dorë, opozita është superfuqi, por me kusht që të mos jenë të marrë peng nga zullumet që kanë bërë kur kanë qenë vetë në pushtet. Pastaj ju jeni duke bërë “biznes” me ata dhe në të tilla raste duhet të jesh gjakftohtë, sepse negociata më e afërt do të jetë në vitin 2017 dhe është pak larg, duke patur parasysh se sa shumë probleme emergjente janë për tu zgjidhur akoma. Prandaj hapni sytë, vota juaj kushton shumë, mos e shisni për një muaj jetë më të mirë, kur keni mundësi që me anë të saj, dalëngadalë, zgjedhje pas zgjedhjesh, mund të negocioni për një jetë më të mirë. Nuk keni nevojë as të merrni rrugët e botës për t’u ushqyer dhe as të varni veten nga depresioni se nuk mbani dot familjen me bukë. Rivlerësoni mundësitë e mëdha që keni dhe veproni me mençuri. Do ta shihni se sa mirë do funksionojë!

Ndaje me miqte