0030 210 33 18 483

Mos të harrojmë prej nga u nisëm...

02 Mars 2016

Deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama se Shqipëria nuk do t’i hapë kufijtë e vet për të kaluar refugjatët nga Siria dhe Iraku, ka shkaktuar mjaft reagime ndër shqiptarët e Greqisë. Duke qenë edhe vetë emigrantë e bij emigrantësh që kaluan para 25vjetësh kufirin, ashtu si refugjatët e sotshëm, ata janë tepër kritikë dhe të ashpër në komentet ndaj vendimit që kryeministri shqiptar e deklaroi gjatë emisionit Top Story të gazetarit Sokol Balla në Top Channel. “Ju siguroj se ne nuk do ta hapim kufirin dhe nuk kemi arsye pse ta bëjmë këtë. Nga kjo, Europa duhet të kuptojë se nuk mund të vazhdojë t’ia hedhë vendeve të saj. Disa vende, që mbyllin dyert për t’ia pasuar një vendi tjetër emigrantët” - tha Rama. “Ne nuk kemi pse bëjmë një zgjedhje të ndryshme nga zgjedhja që bën vendet e Korridorit. Ne nuk do të hapim kufirin, s’kemi arsye ta bëjmë këtë gjë, sepse nuk kemi as kushtet, as fuqinë dhe as delirin që mund të shpëtojmë botën, ndërkohë që të tjerët mbyllin kufijtë, Serbia e mbyll, Maqedonia e mbyll, të vijnë tek ne?!”, u shpreh Rama. Ndaj deklaratës së Ramës ka reaguar edhe veprimtari i njohur i emigracionit në Greqi, Fatos Malaj, njëkohësisht drejtues i organizatës “Arogji-Përkrahja”, nëpërmjet një opinioni që vijon më poshtë: Nga Fatos MALAJ Ka ca momente në jetë që ftohesh të dëshmosh se je Njeri. Mbi çfarëdo inrteresi dhe sado shtrenjtë që të të kenë blerë, duhet të dëshmosh se je njeri. Dhe Njeri nuk të bëjnë deklaratat apo qëllimet e tua. Njeri të bën qëndrimi ndaj njeriut, kushdo qoftë ai: refugjat, emigrant, kriminel. Kur ti si lider, vepron si një organ ekzekutiv i vdekjes dhe dënon me zhdukje mijëra njerëz, atëherë ti i shërben absurdit dhe je autor fajesh që do të shkruhen në histori. Munds të kesh sukses si politikan, mirëpo ke dështuar si njeri. Me mbylljen e kufijve Shqipëria në këto momente po tregon fytyrën e saj të vërtetë. Mund të besojë se në këtë mënyrë siguron një vend në bashkimin Europian, mirëpo nuk e di nëse ka kuptuar gjithashtu se po humnbet sistemin e saj të vlerave. Me këtë vendim, deklaron gatishmërinë për t’u shitur, apo më mirë, për t’u blerë... Vallë, çfarë vlerash demokratike dhe çfarë vlerash europiane mbart një qëndrim i tillë?... Dhe të drejtat e njeriut, mund t’i shesim edhe ato? Sido që të jetë, janë të shumtë faktorët që konservojnë absurdin dhe veprimnet e njerzëve, ashtu si dhe vendimet e shteteve, mjaft herë nuk kanë një shpjegim logjik, përshkohen nga një anarki e cila ka ritmin e vet. Sekush mund ta kuptojë shumë shpejt se nuk ekziston kriteri i logjikës dhe se rregulli bazë i dominimit të pushtetit është “mbyll sytë para fatkeqësisë së tjetrit”. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë refugjatët shqiptarë nëpër botë. Mos të harrojmë se, kur u detyruan të mërgojnë, kufijtë e shteteve të tjerë ishin të hapur. Mos të harrojmë se një ditë do të duhet t’u japim shpjegime mijërafëmijve të refugjatëve që sot u mbyllim rrugën drejt të ardhmes. Dhe mbi të gjitha, të mos harrojmë kurrë se nga u nisëm...

Ndaje me miqte