0030 210 33 18 483

Ndërron jetë biznesmeni Andreas Vgenopulos

TRIBUNA 05 Nentor 2016

Andreas Vgenopulos, themelues i grupit të kompanive Marfin (MIG) dhe president i bordit drejtues të spitaleve Hygeia, ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku në zemër, duke u gdhirë e shtunë, 5 nëntor 2016. Vgenopulos lindi në 1953 në Athinë dhe pasi kreu studimet në fakultetin juridik, themeloi zyrën e avokatisë “Vgenopulos dhe Bashkëpunëtorët”. Nga viti 1988 aktivizohet në fushën e investimeve dhe atë bankare, duke krijuar një nga grupet më të mëdha të biznesit në Greqi. Vgenopulos ishte dhe një sportist i dalluar i skermës, kampion kombëtar poër shumë vite dhe pjesëmarrës në kampionate europiane dhe olimpiada. Për një periudhë vitet e fundit, u impenjua edhe me futbollin duke u vënë në krye të një grupi aksionerësh për Panathinaikosin, ku u investua mjaft, por nuk u arrit të fitohej veçse një titull kampion, në sezonin 2008-2009. Nën udhëheqjen e tij, MIG u shndërrua në një kompani ndërkombëtare me seli në Greqi dhe prezencë në Europën Juglindore. Në Shqipëri, MIG ndërtoi dhe spitalin privat Hygeia Tirana, një investim 60 milionë euro. Në pronësi të MIG janë sot disa prej kompanive lidere në fushën e tyre, në Greqi dhe në vende të tjera të rajonit: Vivartia për produktet e qumështit, ushqimeve të ngrira dhe shërbimeve të ushqimit dhe argëtimit; Attica Group një nga kompanitë më të fuqishme të trageteve në Mesdheun Lindor, (që ka në poronësi edhe Blue Star Ferries dhe Superfast Ferries); Grupin Hygeia; Singular Logic - kompania më e kompletuar në Greqi në tregun e shërbimeve informatike; Sunce (Bluesun) një nga kolosët e turizmit dhe argëtimit në Kroaci; Robne Kuce Beograd (RKB), kompania më e madhe immobilare e menaxhimit të objektve tregtare në Serbi. Sipas dëshirës së familjes, varrimi i të ndjerit do të bëhet në një rreth të ngushtë familjar.

Ndaje me miqte