Ndryshim pozitiv i klimës për Athinën
23 Qershor 2015
Presidenti francez Francois Hollande ka deklaruar të hënën pas mesnate, në përfundim të samitit të Eurozonës se bazat e një akordi për Greqinë tashmë janë hedhur dhe mbetet “të arrijmë një marrëveshje të mërkurën në Eurogrup dhe të ratifikohet nga liderët europianë në samitin e të enjtes”, siç citon radio gjermane Deutsche Welle. Hollande u shpreh se qeveria greke ndërmori përgjegjësitë e veta dhe i bëri propozimet. “E dimë gjendjen e vështirë të Greqisë, qeveria vuri në tavolinë një propozim që u prit pozitivisht nga institucionet”, tha presidenti francez, duke shtuar se “synojmë një marrëveshje tërërsore, e cila përtej masave fiskale, trajton edhe financimin, por edhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik”.
Lidhur me borxhin, Hollande tha se nuk do të zgjidhet tani, por shtoi se masa lehtësuese si zgjatje e afatit të shlyerjes apo reduktim i interesave, do të shqyrtohen në fazën tjetër.
Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, i cilësoi propozimet greke si një pikënisje të mirë në rrugën drejt marrëveshjes. “U shënua një progres relativ, mirëpço që të konkludojmë në marrëveshje, nevojitet të bëhet ende shumë punë, me shumë përqendrim, puna duhet të bëhet në nivel të tre institucioneve (KE, BQE, FMN)”, theksoi Merkel, duke shtuar: “Ministrat e financave të Eurozonës do tët akohen sërish të mërkurën, në mënyrë që në samitin e të enjtes të mund të paraqiten rezultatet”.
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, tha pas samitit se “propozimi ynë u pranua si bazë për diskutim nga ana e institucioneve. Por nevojitet të vazhdojnë negociatat dy 24 orëshat e ardhshëm, pikërisht sepse nuk dëshirojmë një marrëveshje fragmentare dhe me kohë të kufizuar”.
“Duam një zgjidhje të qëndrueshme që do të shoqërohet nga një paketë e fuqishme zhvillimi dhe njëkohësisht, t’i japë jetëgjatësi ekonomisë greke dhe vendit t’i ofrojë mundësinë që shumë shpejt të mund të ngrihet sërish në këmbët e veta... Pas gjithë kësaj, kam ndjesinë - që të përdor një shprehje të cilën e përdorin rëndomë zyrtarët europianë-, se topi ndodhet në fushën e liderëve europianë”, theksoi Tsipras.
Sipas të përditshmes Kathimerini, kthesa e qeverisë greke dhe përshtatja e saj me kërkesat e kreditorëve i dedikohet më së shumti nevojës që të gjenden para për t’u shlyer pagesa ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në fund të muajit, por edhe plotësimit të fondeve për pagesën e rrogave dhe pensioneve ditët e ardhshme.
Negociatat teknike të martën dhe të mërkurën do të jenë veçanërisht intensive, ndërsa presionet ndaj Athinës do të vazhdojnë, pasi propozimi grek “nuk përmban gjithë masat që prisnim”, siç deklaroi kreu i FMN-së, Christine Lagarde, duke lënë të kuptohet se duhet të paraqiten edhe propozime të reja.
Sipas burimeve të gazetës Kathimerini, në samitin e të hënës, mjaft prej liderëve, mes të cilëve presidenti francez apo kryeministri holandez, Mark Rutte, theksuan se negociatat duhet të jenë mbyllur deri të enjten. Ndërsa edhe vende si Finlanda apo Belgjike që më parë kishin qenë shumë të ashpra ndaj Athinës, theksuan se nuk mund të konceptohet Europa pa Greqinë.
Tribuna
Ndaje me miqte