0030 210 33 18 483

Ndryshimet në qeveri dalin emrat e parë

Tribuna 13 Mars 2017

Ndryshimet në qeveri janë çështje orësh drejt zyrtarizimit. Katër ministra mësohet se do të lënë detyrën, një prej tyre është ministri kyç i qeverisë, ai i punëve të brendshme Saimir Tahiri. Blendi Klosi, Bledi uçi, Ilir Beqja gjithashtu do të dorëzojnë portofolet e ministrive përkatëse. Për këtë arësye Edi Rama i thirri të dielën në selinë e Partisë Socialiste shumë nga anëtarët e kabinetit, të cilët njëkohësisht mbajnë edhe detyrën e të deleguarve të kryesisë në qarqe të ndryshme të vendit. Duket se afrimi i zgjedhjeve ka vënë në lëvizje kupolën e ngushtë drejtuese të socialistëve që po bën gati edhe këto lëvizje në kabinetin qeveritar. Saimir Tahiri do të jetë përgjegjës për fushatën e Tiranës, kryeqyteti dhe rrethinat që çojnë jo pak, por 34 deputetë në parlament. Bledi uçi do të jetë në qarkun e Gjirokastrës, Blendi Klosi në Berat, ndërsa Ilir Beqja në Kukës dhe Dibër. Përgatitja për fushatë do të jetë pjesë e diskutimit edhe të hënën kur socialistët do të mbledhin kryesinë e madhe, jo vetëm për të diskutuar lëvizjet e fundit në qeveri, por edhe për të shqyrtuar emrat që do të zëvëndësojnë ministrat që do të lëvizin. Pjesën më të madhe të diskutimit do ta marrë zëvendësimi i Tahirit, për shkak të pozicionit nevralgjik që ka ministria e brëndshme në punët e vendit. Televizioni publik Shqiptar citon burime zyrtare sipas të cilave janë katër alternativa që po diskutohen, si mundësi për zëvëndësimin e zotit Tahiri. I pari është Niko Peleshi, një propozim tërësisht politik. Emri i dytë që po lakohet për të zëvëndësuar Saimir Tahirin është ministrja aktuale e shtetit Ermonela Felaj, për shkak të edukimit të saj profesional në fushën e të drejtës penale. Një emër i tretë, por më pak i mundshëm si kandidaturë është deputeti i PS në Kukës Vexhi Muçmataj. Emri i katërt që gëzon mbështetjen e kryesisë së socialiste është Pandeli Majko i cili thonë burimet është gjithashtu një opsion potencial. Duket se zëvëndësimi i Saimir Tahirit po mban pezull emrat e kandidatëve që do të zëvëndësojnë, Klosin, uçin dhe Beqajn. Burime në Partinë Socialiste i thanë RTSH se një nga emrat e mundshëm për zëvëndësimin zotit Blendi Klosin është deputetja socialiste Olta Xhaçka. Burimet saktësuan se të gjitha ministret femra që janë aktualisht në kabinet do të qëndrojnë në detyrë.

Ndaje me miqte