0030 210 33 18 483

Në 1 shkurt fillon aplikimi për kompensimin e solidaritetit. Vetëm një kusht për emigrantët

TRIBUNA 26 Janar 2017

Nga 1 shkurti 2017 fillojnë aplikimet për të përfituar kompensimin e solidaritetit, ka bërë të ditur ministrja alternate e solidaritetit social, Theano Fotiu, duke folur të enjten për televizionin Antena. Sipas zonjës Fotiu, aplikimet do të bëhen qoftë në mënyrë elektronike, në adresen www.keaprogram.gr, ose në bashki apo në qendrat e shërbimit të qytetarëve, KEP. Ministrja shtoi se të 700.000 përfituesit që do të aplikojnë brenda muajit shkurt, do të marrin normalisht gjithçka që përfitojnë. Prandaj, “nuk është nevoja të shkojnë të gjithë që ditën e parë, por as edhe të fundit”, siç tha shprehimisht. Ministrja sqaroi se për muajin janar, përfituesit do të shpërblehen me mënyrën e vjetër, që vlente deri në dhjetor 2016. Vendimi për Kompensimin Social të Solidaritetit (KEA), është publikuar në Gazetën Zyrtare të qeverisë greke. Vendimi përcakton kushtet dhe kriteret për zbatimin e këtij programi në të gjithë Greqinë, rreth një vit pasi ishte aplikuar si program pilot në 30 bashki të vendit. Kompensim Social i Solidaritetit emërohet programi i përkujdesjes sociale që gërsheton: 1. Mbështetje financiare 2. Shërbime sociale plotësuese. Ndërlidhja e përfituesve me: Trajtim shëndetësor falas, Përfshirje në struktura dhe shërbime të kujdesit dhe mbështetjes sociale, Përfshirja në programe dhe struktura social që synojnë luftimin e varfërisë, Përfshirja në programe që realizohen në kuadër të Fondit Europian të ndihmës për nevojtarët, Faturë sociale (kinoniko timologio) për energjinë elektrike, Faturë sociale për furnizimin me ujë, Faturë sociale për shërbimet bashkiake. 3. Promovim i përfituesve, nëse kanë mundësi të punojnë, në veprimtari që synojnë integrimin apoi ri-integrimin e tyre në tregun e punës dhe që mund të përfshijnë ndërmjet të tjerash: - Mbulimin e vendeve vakante të punës, - Pjesëmarrjen në programe të punës me dobi sociale, - Pjesëmarrjen në programet e kualifikimit profesional, - Pjesëmarrjen në programe që synojnë përfitimin e përvojës profesionale, - Integrimin apo rikthimin në sistemin arsimor dhe në shkollat për shansin e dytë. Kriteret e përfshirjes në program Familjet përfshihen në program përderisa përmbushin kriteret e mëposhtme për të ardhurat, pasurinë dhe qëndrimin: 1. Kriteri i të ardhurave Të ardhurat e deklaruara të familjes, ashtu siç përllogaritet me qëllim përfshirjen në program, gjashtë muajtg e fundit para paraqitjes së kërkesës, nuk mund të tejkalojnë gjashtëfishin e të ardhurave të garantuara për çdo tip familjeje. Vijojnë, në mënyrë indikative, rastet e meposhtme: - Familje me një pjesëtar. Të ardhurat e gjashtëmujorit të fundit = 1.200 euro, - Familje e përbërë nga dy pjesëtarë të rritur, apo familje me një pjesëtar të rritur dhe një pjesëtar të mitur. Të ardhurat e gjashtëmujorit të fundit = 1.800 euro. - Familje e përbërë nga dy pjesëtarë të rritur dhe një pjesëtar të mitur, apo familje me një të rritur dhe dy pjesëtarë të mitur. Të ardhurat e gjashtëmujorit të fundit = 2.100 euro. - Familje e përbërë nga tre pjesëtarë të rritur, apo dy të rritur dhe dy të mitur, apo familje me një të rritur dhe tre të mitur. Të ardhurat e gjashtëmujorit të fundit = 2.400 euro. - Familje e përbërë nga tre pjesëtarë të rritur dhe një të mitur, apo dy të rritur dhe tre të mitur, apo familje me një pjesëtar të rritur dhe katër të mitur. Të ardhurat e gjashtëmujorit të fundit = 2.700 euro. - Familje e përbërë nga katër pjesëtarë të rritur apo dy të rritur dhe katër të mitur, apo familje me një të rritur dhe pesë të mitur. Të ardhurat e gjashtëmujorit të fundit = 3.000 euro. - Për secilin pjesëtar tjetër të familjes, shtohet gjashtëfishi i të ardhurave të garantuara. Të ardhurat e deklaruara nuk mund të tejkalojnë shumën 5.400 euro, pavarësisht nga numri i pjesëtarëve të familjes. 2.Kriteri i pasurisë Pasuria e patundshme Vlera e tatueshme e pasurisë së patundshme të familjes në Greqi apo jashtë shtetit, nuk mund të tejkalojë vlerën 90.000 euro për familjet me një pjesëtar, duke e shtuar me nga 15.000 euro për çdo pjesëtar tjetër dhe gjithsesi, nuk duhet të jetë më e lartë se 150.000 euro. 3.Kriteri i qëndrimit, i vetmi kusht për emigrantët Aplikuesit duhet të kenë qëndrim të ligjshëm dhe të vazhdueshëm në Greqi. Sa u përket emigrantëve, në nenin 6, paragrafi 4, përcaktohet se: Në rastin që aplikuesi apo pjesëtari i rritur familjes është shtetas i huaj, nevojitet paraqitja e lejes së qëndrimit të vlefshme, apo vërtetimi (veveosi blu) se kanë dorëzuar kërkesën për rinovimin e lejes së qëndrimit. Përfitimi Sipas vendimit të qeverisë, e ardhura e garantuar që do t’u paguhet përfituesve nëpërmjet kompensimit social të solidaritetit, përcaktohet si më poshtë: - Familjet me një anëtar: 200 euro në muaj. - Për çdo pjesëtar të rritur të familjes: plus 100 euro në muaj. - Për çdo pjesëtar të mitur: 50 euro çdo muaj.

Ndaje me miqte