0030 210 33 18 483

Në ditëlindjen e poetit: Të shuajmë mallin për Ndoc Gjetjen me poezitë e tij

12 Mars 2016

"Ajo që të bënte vërtetë më shumë përshtypje se të takosh një njeri kaq të paqtë, fisnikë e të thjeshtë, në një kohë kaq të çartur, është se ai këtë e kishte natyrën e tij të vetë-pavetëdijëshme. Ishte i tillë dhe vazhdonte të ishte i tillë, pa sforco dhe padashur të ndryshojë. I ngjante Sokratit grek të Epokës së Artë". Nga Armela Hysi Nga të gjitha shprehjet, epitetet, titujt a nderimet që i janë bërë gjatë tërë jetës së tij poetit të madh shqiptar Ndoc Gjetja, për mua më i dashuri dhe që më pëlqen ta përdor më shpesh, për z. Gjetja është Krishti i Poezisë Shqiptare. Nuk e di, veç se me hamendësi, si filloi të përdoret ky paralelizëm. As se si mund ta përdor gjithsecili, disi për pamjen, për karakterin e përulur me gjithë barrën e mençurisë dhe talentit që mbarte aq natyrshëm, për vetë njehsimin biblik që bënte me jetën e tij, vetë Ndoci, për poezinë e tij aq shpirtërore, për vargun e poetit njerëzit i doja si krisht, e të tjera të ngjashme; por kush e ka njohur poetin dhe njeriun tejet të madh nuk mund të mos e kuptoje se është kaq i përshtatshëm, kaq i drejt ky epitet hyjnor. Ndoc Gjetja është një nga njerëzit më fisnikë që kam patur nderin dhe fatin të njoh në jetën time dhe këtë fisnikëri e jepte kaq me bujari tek të gjithë, sa që të bënte përshtypje kjo madhështi thjeshtësie - po huazoj një nga shprehjet më të bukura që ka përdorur miku i tij i ngushtë dhe i dashur, letrari dhe intelektuali i njohur z. Kujtim Dashi në librin e tij Thellësia e Madhështisë, Poetit dhe Njeriut NDOC GJETJA (Tiranë 2004). Por ajo që të bënte vërtetë më shumë përshtypje se të takosh një njeri kaq të paqtë, fisnikë e të thjeshtë, në një kohë kaq të çartur, është se ai këtë e kishte natyrën e tij të vetë-pavetëdijëshme. Ishte i tillë dhe vazhdonte të ishte i tillë, pa sforco dhe padashur të ndryshojë. I ngjante Sokratit grek të Epokës së Artë në të gjithë atë mençuri që mbarte dhe jepte kudo, nga ana njerëzore, nga ana poetike, filozofike e shpirtërore; por dhe naivitetit në lidhje me interesat personale, sepse mendonte se njeriu duhet t’ja kushtoi jetën të mirës së përgjithëshme dhe vepronte pa hezitim, por ajo që e lidhte kaq shumë me figurën hyjnore të Krishtit, qe dashuria e sinqert e njeriut Ndoc, për njerëzit e tjerë, për bashkëqytetarët, për shpirtrat. Për Ndocin poet, padyshim që është shkruar mjaft, s’kishte se si të ndodhte e kundërta, megjithëse jam sigurisht e mendimit se jo mjaftueshëm, por duke mos dashur të zgjatem në këtë shënim që është vetëm për të përkujtuar poezitë që na shoqërojnë këto vite që vetë Ndoci gjendet në Olimpin qiellor të poezisë - po shtoj se vetëm tek gjenijtë e çdo zhanri vihet re një njehsim kaq i madh i asaj çka bëjnë, me atë çka janë. E gjithë kjo fisnikëri dhe dashuri hyjnore dhe e qetë dhe e sinqertë, përcillet kaq vërtetësisht në poezinë e Gjetjës, me shije të papërsëritshme artistike, jo vetëm si mjeshtër i vargut dhe gjetjes, apo bërjes së fjalës, por edhe me një ritëm poetik të mirfilltë që e transmeton tek lexuesit thjesht magjishëm dhe është sikur sheh vetë poetin, prandaj dhe Visar Zhiti poeti i njohur dhe i vlerësuar, shpreh aq bukur, atë që e mendojmë kështu të gjithë “Unë te poezia e Ndocit e te njeriu Ndoc Gjetja nuk gjej asnjë ndryshim, përkundrazi. Te Ndoci shoh poezinë, te poezia shoh Ndocin”. Aty ku e shohim ne të gjithë, e do e shohin brezat. AUTOPORTRET Vendbanimi: Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje. Profesioni: Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre Gjendja sociale: Mbetje teknologjike e administratës shtetërore se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve. Gjatësia: E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar Pesha: Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar. Shenja të veçanta: Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë dhe një mjekër e thinjur nga moslejimi kaq vite i saj. Sytë: Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura. Ngjyra: E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta. Titujt: I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna. Bindjet: Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu. Antipatitë: Burrat me grada, gratë me shumë tule dhe miu Simpatitë: Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançes dhe Buda. Frikërat: Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma. Besimi: Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë. Pasuria: Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë. YLLI IM NUK NDIZET ME O vajzë që të njoha në jetë kaq vonë! Ti gjithë qenien time e bëre lëmsh, ti më ktheve shumë prapa në kohë ti më zbrite një tridhjetëvjetsh. Në vitin kur ti ke ardhur në jetë në botën time sapo hynte femra, e sheh ç’hon kohe kemi ndërmjet vogëlushja ime e madhe sa ëndrra? Më kot shpenzova pas një Dulqinje gjithë jetën time si Don Kishoti, dhe tash më shfaqesh krejt papritur si një tallje nga vetë Zoti. Sa herë ta ndiej frymëmarrjen afër, humbas në qiellin magjik të syve dhe befas përmendem e bie ashpër te rëndomësitë e jetës sime. Ti vjen dhe ikën dhe mbetesh ëndërr se ylli im nuk ndizet më me muzgun e moshës jam mbështjellë dhe ndihem i lodhur e dua... të flë. PLEQERISHTE Më në fund u plakëm grua, siç e sheh dhe vetë me thinja të bardha e rrudha na mbushi kohë e sertë. Dhe shëtitjet i rralluam nëpër dhomë vijmë përqark, dhe në vend të tyre shtuam kollën dhe kafenë me pak. Sa më ka marrë malli, grua të zemërohem qoftë dhe kot, si dikur atje tek udha kur të shihja me një shok. Ne kemi vite që pasqyrën e përdorim shumë rrallë se kemi sytë e njëri-tjetrit fytyrat tona për t’i parë. KUR FILLOVA NGA PAK TE VDISJA Kur fillova nga pak të vdisja mbaj mend, ka qenë e enjte vetëm ty pranë të kisha rrije në këmbë dhe heshtje. Në sytë e tu binte borë, në fytyrë të fryu Veriu, unë te brinjët vura dorën ndjeva zemrën që mërdhiu. Mbaj mend si e hape derën si e tërhoqe pas dhe ike, në palcë të ëndrrës ndjeva therrje që më vonë m’u bë kronike. Që ta marr pakëz veten, vazhdimisht më sjellin njerëzit reçel të ëmbël buzëqeshjesh dhe ca pako me ngushëllime. Përherë i lë në tryezë pa hapur kompostot me lëng entusiazmi, e nuk i prek me dorë fare pjatat plot me optimizëm. Ah, e humba krejt oreksin nga ky virus shpirtëror i dhembjes, me zor flas e me zor qesh më kot rri në tryezë të jetës. PUTHJA Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja Ndodhin në mesin e rrugës së madhe Po ajo më njerëzorja Më e madhërishmja, më hyjnorja Puthja Ka mbetur ilegale. FUNDI I PRITJES Të shtunë piva shtatë kokrra valium që të zgjohem vetëm të hënë, se desha të dielën pa ty ta humb për ta kaluar sikur s’ka qenë. Po, ja, e hëna e shumëpritur erdhi e vonoi të ikë gati një shekull. Si të shpëtoj tani i shkreti nga kjo torturë që quhet Nesër? Dhe gjithë e marta u shtri mbi mua si oktapod me këmbë të ngrira ah, pres të më vijë e mërkura të më clirohet pakëz fryma. E mërkura më erdhi e iku më gjeti e më la pa ty, e enjtja zvarritej porsi kërmilli e premtja më solli vetëm shi. Edhe e shtuna m’u var në shpirt si një kornizë pa pikturë, shpresës që ti do vish një ditë tani po i vë përsipër një gur. KATER QIRINJ Një dhembshuri e thellë e një mall i heshtur për ëndrrat e mërdhira nën pelerinë vetmie më shtynë sonte të ndez katër qirinj të vegjël përpara altarit të shenjtë të zemrës sime. Të parin e ndeza për takimin tonë të parë, të dytin e ndeza për të papërsëritshmen puthje, të tretin e ndeza për çastet e paharruara të prehjes në parajsën tënde të gjirit dhe të supeve. Të katëritn e ndeza gabimisht e dashur sepse ndoshta gabimisht u deshëm ose ndoshta gabimisht u ndamë pa e ditur përse nuk do të vdesim bashkë. NJESHIT Në rendin e pafund të numrave të plotë matematikisht ti je më i vogli në botë por papritur u bëre kaq tepër i madh në sajë të zerove që të shkojnë pas. POETI Në çastin kur fjalën e zuri nën vete numri Shpirtin filloi të mos e nxinte trupi, Dhe plasi palca e jetës me një klithje të fortë Dhe doli nga e çara poeti i parë në botë. Ai gabimisht nuk lindi që të lëpijë me vargje izmet e të mëdhenjve e copëzat e mecenatëve, Dhe gabimisht nuk rron e gabimisht s’do të vdesë Me prapanicën mbi karrigen e karrierës. Ai erdhi që të kryejë porosinë e madhe të shpirtit Me alkiminë e fjalës të shkrijë gurët e Sizifit, Ai është heshtja e rëndë që do të mbytet me fjalë, Ai është lufta e dritës me të kundërtën e saj. Ai është boshti i Qenies që kërkon të mbushet, Ai është faqja e virgjër që dëshiron të puthet, Ai është çasti i ri që nuk përsëritet kurrë, Ai është plak, fëmijë, grua, djalë dhe burrë. Ai është shurdhëria e verbër që kërkon veshë dhe sy Ai është malli yt për mua dhe malli im për ty, Ai është vera në dimër dhe pranvera në vjeshtë, Ai është ai që s’e dimë kush është. DIALOG -Vogëlush , Më duket sikur ti më ikën larg Kur të kam në gjumë. -Babi, dhe ti mua më lë Dhe më ikën larg Megjithëse je këtu Kur shkruan. SHKALLET O ç’mrekulli Do të ishte ngjitja Po të mos përdoreshin Shkallët! EPITAF Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja i cili pati ardhur gabimisht në botë, ai nga vetja e tepruar nxirrte vjersha dhe gjithë njerëzit i quante shokë. Kur pa që ëndrra kalkulohej në kompjuter, kur pa që idealet rrëzoheshin në kolltuqe, kur jepte buzëqeshje e merrte skërmitje, zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte. Dhe shkoi e hyri në Manastirin e Unit të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e Lehjes ... Pastaj e përcollën te banesa e fundit te vila dymetërshe e ullishtes së Grykëzezës.* Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur e puthi në ballë dhe thirri “Nënë”... Mos kërkoni të dini për të më tepër se iku sikur të mos kishte qenë. *) me shpenzimet gratis nga Bashkia e Lezhës -në varjant të mëparshëm(shën. im) Poezitë e këtij cikli janë shkëputur nga librat e Ndoc Gjetjas RREZATIM (1971) SHQIPONJA RREH KRAHET (1975) QENDRESA (1977) E PERDITSHME (1982) ASTE (1984) POEZIA SHQIPE - 35 - KOLANA (1987) KTHIMET (1991) DHJATA IME (1998) BIRI I NJERIUT (2004)

Ndaje me miqte