Në pikëpyetje vazhdimi i koalicionit qeveritar pas kërkesës së Kammenos për dorëheqje të Muzalas
16 Mars 2016
E ardhmja e koalicionit qeveritar në Greqi ndodhet në pikëpyetje të madhe, pasi aleatët e kryeministrit Tsipras, “Grekët e Pavarur”, kërkuan dorëheqjen e ministrit të emigracionit, Janis Muzalas.
Muzalas, gjatë një interviste që u transmetua në orët e vona të së martës, e përmendi Republikën ish Jugosllave të Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, gjë që politika zyrtare nuk e ka pranuar kurrë.
Muzalas e bëri këtë kur po shpjegonte ngjarjen e të hënës, kur disa qindra refugjatë kaluan në territorin e vendit fqinj.
Ministri po thoshte se “persona që nuk kanë asnjë lidhje me organizatat joqeveritare dhe vullnetrarët që ndihmojnë në Idomeni, organizuan kalimin në Maqedoni”.
Përmendja e emrit Maqedoni për shtetin fqinj nga një përfaqësues i qeverisë greke, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të partive opozitare.
Demokracia e re e cilësoi si një “sjellje të pahijshme”, që përforconte argumentet e Shkupit zyrtar dhe shtonte se ministri duhet të mendojë ndoshta edhe dorëheqjen.
Pak a shumë i njëjtë ishte dhe reagimi i PASOK-ut.
Qeveria u përgjigj menjëherë ndaj kritikave, duke i cilësuar ato si të ekzagjeruara dhe hipokrite. Vetë Muzalas kërkoi publikisht ndjesë, duke ia atribuar “lapsusin” nxitimit.
Por kjo ndjesë duket se nuk e ka bindur kryetarin e grekëve të pavarur, ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos, i cili që nga momenti i parë kërkoi që ministri i emigracionit të japë dorëheqjen.
Të mërkurën paradite Kammenos e përsëriti qëndrimin e vet. Ai e quajti një “krim tragjik” përmendjen e emrit “Maqedoni” nga ana e Muzalas dhe shtoi se ai nuk mund të jetë më pjesëtar i qeverisë, pasi qëndrimet e tij janë të dëmshme për çështjet kombëtare.
Kammenos tha se pret reagimin e kryeministrit Tsipras ndaj kërkesës së tij për largimin e ministrit të emigracionit.
Pavarësisht se qeveria në momentin e parë e mbështeti ministrin e emigracionit, këmbëngulja e partnerit qeveritar e vë para kokëçarjeve të mëdha kryeministrin grek.
Grekët e Pavarur janë të domosdoshëm për koalicionin qeveritar dhe prishja e këtij koalicioni do të sillte automatikisht rrëzimin e qeverisë Tsipras.
Nga ana tjetër, konsiderohet absolutisht e pamundur që të shkarkohet ministri i emigracionit, vetëm dy ditë para samitit tepër të rëndësishëm të BE-së, ku pritet të merren vendime tepër përcaktuese për krizën e refugjatëve ku Greqia po vazhdon të ketë barrën më të madhe.
Për këto arsye, zhvillimet e orëve të ardhshme konsiderohen si tepër vendimtare për atin e qeverisë Tsipras, dhe ndoshta edhe për vetë Greqinë.
Tribuna
Ndaje me miqte