0030 210 33 18 483

Negociatat e Athinës me kreditorët: progres por ende jo marrëveshje

Tribuna 10 Mars 2017

Negociatat e qeverisë greke me kreditorët kanë marrë një “shtesë” të re, pasi përfaqësuesit e “kuartetit”, do të largohen të premten nga Athina, pa u ditur data e rikthimit të tyre. Për raundin aktual, që filloi të hënën dhe përfundoi të enjten vonë, një burim qeveritar deklaroi pas takimit se është shënuar progres. “Ka vazhduar progresi dhe çështjet po mbyllen një nga një”, vuri në dukje burimi qeveritar, i cituar nga agjencia ANA-MPA. Sipas të njëjtit burim, pikat e nxehta në negociatat aktuale mbeten ndryshimet legjislative në marrëdhëniet e punës, si dhe niveli i të ardhurave të patatueshme. Në këto dy pika, kreditorët po kërkojnë me ngulm ndryshime radikale, ndërsa qeveria ende po reziston. Negociatat që po vazhdojnë prej më shumë se një viti, bëhen në kuadër të financimit të Greqisë nga plani i tretë i shpëtimit, me vlerë 86 milionë euro. Athina zyrtare duhet të plotësojë vazhdimisht kushtet e kreditorëve, me qëllim që këta të fundit të çlirojnë sipas radhës këstet e kredisë, që janë të domosdoshme për frymëmarrjen financiare të Greqisë. Qeveria greke, nëpërmjet kryeministrit Tsipras deklaron vazhdimisht se nuk do të pranojë asnjë masë të re shtrënguese, deri në përfundim të mandatit të vet, në vitin 2019. Zbatimi i detyrueshëm i këtyre masave ka sjellë rënien konstante të SYRIZA-s në pushtet dhe nga ana tjetër rritjen e vazhdueshme të kuotave në sondazhet, për partinë më të madhe opozitare, Demokracia e Re. Mirëpo kushtet e kreditorëve janë mjaft të ashpra, në kohën që Greqia, pas tre muajsh do të duhet të kryejë pagesa bondesh dhe kredish më të hershme, me vlerë të përgjithshme më shumë se 8 miliardë euro. Tashmë qeveria greke shprehet optimiste se negociatat do të finalizohen me arritjen e marrëveshjes, deri më 20 mars, datë kur ministrat e financave të eurozonës do të mblidhen në takimin e tyre të radhës, të njohur si Eurogrup. Por të njëjtat parashikime optimiste Athina i ka bërë vazhdimisht gjatë muajve të fundit, edhe pse negociatat janë karakterizuar nga ngërçe të herëpashershme.

Ndaje me miqte