0030 210 33 18 483

Nënshtetësi greke për 250.000 emigrantë. Kur votohet ligji i ri

Robert GORO 11 Mars 2018

Qeveria greke ka përgatitur projektligjin që mundëson marrjen e nënshtetësisë greke nga të paktën 250.000 emigrantë. Bëhet fjalë për një kategori, e cila nuk përfshihet në dispozitat aktuale të marrjes së nënshtetësisë, kryesisht për shkak se nuk plotësojnë kushtin e pasjes së një leje qëndrimi pa afat apo statusin e rezidentit afatagjatë. Lajmi është bërë i ditur në një konferencë për shtyp që dhanë ministri i brendshëm grek, Panos Skurletis dhe sekretari i posaçëm për nënshtetësinë, Llambros Baltsiotis. “Do të zgjidhim problemin e atyre njerëzve që jetojnë në Greqi në mënyrë të ligjshme, por nuk marrin nënshtetësi për shkak se nuk ua mundëson tipi i lejes së qëndrimit që posedojnë. Gjithashtu, do të trajtojmë menjëherë, me amendamentet përkatëse çështje që kanë të bëjnë me njerëz të moshuar mbi 65 vjeç të cilët jetojnë në Greqi prej shumë vjetësh dhe përbëjnë një kategori të veçantë”, deklaroi në konferencën për shtyp ministri i brendshëm, Panos Skurletis. Sipas ministrit, këto masa përmirësuese synojnë të japin një mesazh të rëndësishëm: “Dëshirojmë që me ato që kemi bërë e atë që do të bëjmë, të dërgojmë një mesazh kundër ksenofobisë, kundër urrejtjes për tjetrin dhe kundër racizmit, të bazuar në vlerat e solidaritetit, humanizmit, barazisë, duke synuar në integrimin e njerëzve që kanë të drejtën e integrimit në shoqërinë tonë”. Sekretari i posaçëm për nënshtetësinë, Llambros Baltsiotis, ishte edhe më konkret në pozicionimin e tij: “A mund të përjashtojmë nga procesi i nënshtetësisë një grua nga Shqipëria, e cila jeton 25 vjet në Greqi, por nuk ka p.sh., statusin e rezidentit afatgjatë?”. “Sigurisht që jo”- ka vazhduar zoti Baltsiotis, “Këtë po vijmë të korrigjojmë dhe përfshin të paktën 250.000 persona. Kemi përgatitur një dispozitë të re e cila thotë që po të kesh 12 vjet qëndrim të ligjshëm në Greqi, do të mund të aplikosh për marrjen e nënshtetësisë. Kjo do të votohet ditët e ardhshme, më e vona brenda një apo dy javëve. E kemi gati projekt amendamentin”. Shqiptarë, mbi 80% e përfituesve të nënshtetësisë greke Sipas statistikave zyrtare që paraqiti ministria e brendshme, vetëm gjatë vitit 2017 kanë përfituar nënshtetësinë greke 28.363 qytetarë shqiptarë. Kjo shifër përfaqëson 83% që numrit të përgjithshëm të personave që përfituan nënshtetësinë. Shumica dërrmuese, ose 22.820 persona i përkasin brezit të dytë dhe e morën nënshtetësinë për shkak se kanë lindur apo kanë kryer mësimet në tre nivelet e arsimit shteteror grek. 3.426 janë qytetarë shqiptarë me origjinë greke (homogjenë), që e morën nënshtetësinë me natyralizim (politografisi); dhe 2.117 janë qytetarë me origjinë të pastër shqiptare. Sa për kuriozitet: në vend të dytë për nënshtetësinë me lindjen apo arsimimin, vijnë indianët, me 239. Politografisi e homogjenëve, turqit me 77 dhe politografisi nga kombësitë e tjera ukrainasit me 139. Përshpejtim i procesit Ministri i brendshëm Skurletis ka deklaruar në konferencën për shtyp se një nga prioritetet kryesore është përshpejtimi i procesit. “Eshtë shumë e rëndësishme që të mund të pakësojmë kohën e dhënies së nënshtetësisë dhe megjithëse disa gjëra janë përmirësuar, janë ende shumë larg nga synimet tona”.

Ndaje me miqte