0030 210 33 18 483

Neranxi denoncon akte dhune kundër Himarjotëve që apelojnë: &ldquoMos i prekni shtëpitë tona!&rdquo

30 Qershor 2016

Me një letër publike drejtuar kryeministrit Rama, kryetarit të parlamentit Ilir Meta, kryetarit të PD Lulzim Basha, ambasadave të huaja dhe shumë institucioneve të tjera të vendit, banorë të lagjes Spile në qendër të Himarës, apelojnë që mos të sakrifikohen shtëpitë e tyre për hir të një projekti që parashikon ndërtimin e një resorti turistik. “Ne, banorët e Himarës që jetojmë në zonën historike të Spilesë, jemi këtu brez pas brezi në shtëpitë dhe pronat tona qindravjeçare, të cilat rrëfejnë lashtësinë e tyre, historinë e këtij vendi. U gëzuam shumë kur u vendos të shpallej zonë historike Himara, duke menduar se edhe Kryeministri e donte këtë zonë dhe historinë e saj. Por kur mësuam se mbrapa krahëve tona (siç na u prezantua nga Bashkia, në takimin e dt. 16/06/2016 Plani Rregullues i Himarës), se Kryeministri ka vendosur të na shkatërrojë shtëpite dhe të na grabisë pronat, u trishtuam shumë. Ato shtëpi dhe ato prona ku ne jetojmë dhe nxjerrim bukën e gojës i kemi trashëguar nga të parët tanë në shekuj dhe duam tua trashëgojmë pasardhësve tanë. Me ato shtëpi dhe ato prona nuk bëjmë asnjë lloj pazari, sepse emri i një fisi të madh nuk nxirret në pazar. Po ju bëjmë me dijë që të na ndihmoni të ndalohet kjo çmenduri. Nuk do të lejojmë askënd që të prekë shtëpitë dhe pronat tona. Do ta mirëkuptonim Kryeministrin nëse, qofte dhe me paratë tona, të restauronim ndërtesat e vjetra apo t’i kthenim në identitet ato të cilat në këto vite kishin pësuar nderhyrje. Më poshtë vijojnë emrat dhe firmat e banorëve. Shpresojmë në ndihmën tuaj për të ruajtur këtë trashëgimi kulturore për brezat që do të vijnë. Me respekt Banorët e Spilesë sipas listës bashkangjitur. Denoncime për incidente të dhunshme Me një status në profilin e vet në Facebook, biznesmeni i njohur Nikollaq Neranxi ka denoncuar publikisht se është ushtruar dhunë ndaj banorëve që reagojnë kundër prishjes së banesave të tyre. Vijon statusi i publikuar më 30 qershor 2016, që zoti Neranxi e ka firmosur si drejtor ekzekutiv i shoqatës Komuniteti Himariot: “Mafia e grabitjes se pronave në Himare, e hoqi maskën dhe përgjaku njerëzit e thjeshtë! Dua t’ju bëj me dije të gjithëve, për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur sot në Himarë. Siç ju kemi njoftuar, në Himarë (Spile), kërkojne të na rrëzojnë me forcë dhe pa dëshirën tonë, shtëpitë shekullore sepse mafia në pushtet ka vendosur të bëjë resort në atë vend si dhe njësi shërbimi për veten e tyre. Ndërkohë, aty janë pronat tona ku shteti akoma nuk na ka dhënë akoma asnjë letër, përveç që kemi edhe shtëpitë. Në këtë mënyrë ata na grabisin dhe në dëbojnë nga ai vend ku ne kemi shekuj dhe breza që jetojmë. Sot, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, individë të dhunshëm jo të zonës, u futën në mbledhje dhe bënë raprezalje duke gjakosur banorët. Ata më kerkonin mua si njeriu që kisha ngritur zërin kundër kësaj grabitjeje. (Sqaroj që unë nuk ndodhesha në atë mbledhje sot sepse nga impenjimet nuk arrita të shkoj). "Ne duam Nikollaq Neranxin" - thërrisnin ata. Skenari është i qartë, ata kërkojnë të bëjnë shembull të dhunës së tyre, një njeri qe ka backgroundin e një personi publik dhe ka një biznes shumë të njohur. Kjo është një mënyrë mafioze për të terrorizuar njerëzit e thjeshtë aty, duke iu thënë se ne nuk llogarisim askënd. E marrim zvarrë edhe Neranxin, jo më ju! Por i keni bërë llogarite gabim, more të mjerë! Ju nuk na paskeni njohur! Ne kemi bërë plan ta mbrojmë me gjak pronën tonë, emrin tonë, historinë tonë! Eshtë amaneti i të parëve tanë dhe asgjë nuk na ndal! Nikollaq Neranxi, drejtor ekzekutiv i Shoqates Komuniteti Himariot”.

Ndaje me miqte