0030 210 33 18 483

Niko Nikolla njeriu që përbuzi vdekjen dhe përqeshi jetën

19 Maj 2016

Shumëkush mund të rrudhë me sinqeritet vetullat e të pyesë: “Niko Nikolla?... Kush na qenka ky?”. E mirëkuptoj hutimin e tyre, pse Niko Nikolla nuk është themeluesi i ndonjë partie njëanëtarëshe dhe e la këtë botë para se Marc Zuckerberg-u të lançonte Facebook-un. Niko “shkoi” një ditë të ftohtë janari të 2006-s, duke marrë me vete gjithë kënaqësitë, mllefet dhe pengjet që jeta ia ofroi dorëlëshuar... Nga ana tjetër, mendoj se ka një pakicë njerëzish - mes të cilëve edhe autori i këtyre rreshtave-, që, kur përmendet emri i Nikos, u krijohet vetvetiu një gaz i lehtë në buzë: ashtu siç ndodh ngaherë kur kujtojmë diçka që na ka lënë gjurmë të bukura në kujtesë dhe në shpirt. Ata që e mbajnë ende mend, e dinë se Niko Nikolla drejtoi për njëzetë vjet (1971-1991), revistën “Hosteni”, e cila në një moment të caktuar u bë sinonimi jo vetëm i humorit dhe i satirës në Shqipëri, por edhe i fshikullimit ndryshe të të metave dhe paudhësive të sistemit të atëhershëm. Një fshikullim që, ç’është e vërteta, bëhej me doreza dhe aq sa lejonte dora e hekurt e regjimit. Megjithëse Hosteni u themelua thuajse menjëherë pas vendosjes së pushtetit komunist, vetëm gjatë dy dekadave të fundit të jetës së vet, zuri vendin që i takonte në zemrën e lexuesve. (Kjo është pikërisht periudha që kishte Nikon si “timonier”). Për standardet e kohës, një revistë që qarkullonte dy herë në muaj, me një tirazh prej 60.000 kopjesh e zhdukej brenda ditës, nuk ishte një gjë e vogël. Aq më tepër që Hosteni nuk përfshihej në listën me organet që qytetarët duhej të abonoheshin domosdo. Për ato pak vjet që punova në Hosteni, e them me bindje të plotë se e gjithë merita për këtë “katapultim” të revistës në ato njëzetë vitet e fundit të jetës së saj aktive; e gjithë merita pra, i përket Niko Nikollës, dhe sidomos largpamësisë së tij në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve dhe redaktorëve, përzgjedhje që në shumicën e rasteve rezultuan më se të sakta. Përzgjodhi qysh në fillim dhe e freskonte vazhdimisht, një staf i cili kishte aftësinë të sendërtonte ambicien e Nikos që Hosteni ta rriste shumë “piacën” e vet dhe tehu i kritikës të ngrihej më lart në piramidën e pushtetit; maja e mprehtë e hostenit “shponte” tashmë edhe zyrtarë të lartë (aq sa lejohej, e thamë këtë!). Mjafton të kujtojmë rubrikën emblematike “Letër pa zarf” në faqen 3, që thuajse përherë trajtonte një problem madhor, dhe që i tregonte çdo njeriu me dy pare mend në kokë se “ka diçka të kalbur në Danimarkë” (siç i pat thënë Marceliusi Horacit te “Hamleti”), në kohën që pjesa tjetër e shtypit të kontrolluar rrekej t’u mbushte mendjen shqiptarëve se gjithçka në vend shkonte për mrekulli. Sigurisht, nevojiteshin këllqe për ta bërë këtë. Por nevojitej edhe forcë argumenti që Niko e kishte me të tepërt dhe që, edhe kur i duhej të ballafaqohej për ndonjë shkrim të botuar që shkaktonte alergji në piramidën e pushtetit, dilte në shumicën e rasteve “pa u lagur” revista dhe vetë autori i shkrimit. Dhe mbi të gjitha, e kam provuar vetë, se si mbrojtjen e redaktorit apo të bashkëpunëtorit e kishte kaq të shenjtë ky NJERI që nuk ia shiti kurrë shpirtin shejtanit, por që as me zotin nuk i kishte punët mirë. Sepse Niko kishte një filozofi të vetën: parimi i tij, modus vivendi i tij, ishte “mos e merrni jetën si tragjedi, por si komedi”, prandaj dhe çdo ditë e jetonte si të ishte e fundit dhe nuk di se kush e ka quajtur dikur me plot të drejtë “optimisti i përjetshëm”. Më erdhi mirë që qoftë dhe me vonesë të pafalshme, presidenti i Republikës korrigjoi neglizhencën e paraardhësve të tij dhe e nderoi Niko Nikollën me titullin “Mjeshtër i Madh”, dekada pasi ai kishte marrë dhjetra dekorata mirënjohjeje nga njerëzit më të mirë të kësaj toke: qytetarët e thjeshtë. Më erdhi mirë, por personalisht u ndjeva keq për atë motivacion telegrafik e të thatë, thua se ishte hedhur me copy-paste... Sepse kontributi i Niko Nikollës ka dimensione dhe rrezatim shumë më të madh se sa një “gazetar i përkushtuar, publicist dhe shkrimtar i cili me humorin dhe sakrkazmën e tij përjetësoi portrete dhe ngjarje të spikatura të kohës”... Por le mos të tregohem meskin... Thjesht, të them dy fjalë edhe për letërsinë që krijoi Niko Nikolla, në ndërkohat e pakta të lira gjatë drejtimit të Hostenit dhe më pas, në pension, në një Shqipëri “zaife” siç do të thoshte dhe vetë, ku tranzicioni i stërzgjatur rrëzon vlerat dhe ngre në piedestal ple(h)rat... Për mua, Niko Nikolla ka bërë sistematikisht letërsinë më të mirë satirike që kam lexuar, (kujdes, them satirike, jo humoristike!). Frazat e tij nuk të gilivitnin e të gajasnin së qeshuri, mirëpo situatat dhe përshkrimet ishin si të ndërtuara me thumba të gjatë e të mprehtë që të shkaktonin dhimbje dhe mendime. Thënë ndryshe, me letërsinë e vet Niko kompensonte - duke shfrytëzuar mundësitë që i ofronte procesi i krijimit,- atë çka linte mangët te “Hosteni” për shkak të ruajtjes së domsdoshme të ekuilibrit të brishtë... E kanë quajtur rektori i gazetarisë shqiptare, ndoshta pse Hostenin e kishte shndërruar në një akademi të gazetarisë, ku vetë ai jepte vazhdimisht leksione, me qetësi e durim, por ama, ngandojëherë të dukej se e kthente qiellin përmbys e të hidhte gjithë rrufetë përsipër. Kështu ishte Hosteni në kohën e Niko Nikollës: një familje e madhe, ku nuk mungonte debati e madje edhe tensionet. Por në fund, gjithçka kthjellohej, pse “shefi” apo “plaku” siç i thërrisnin më të vjetrit dhe “xhaxhi” ne më të rinjtë, pak pas orës 15,00 kur përfundonte orari i punës, zbriste nga kati i dytë e na priste të gjithëve te holli i redaksisë për të na pyetur: “Kush e ka ditëlindjen sot?”. Kjo nuk do të thoshte se kush do të duhej të paguante, por ishte parrulla për të motivuar uljet tona të përditshme zakonisht te restorant “Peshku” (përballë Ushtarit të Panjohur), ku konsumohej ca si tej mase mase verë e bardhë apo e kuqe, shoqëruar me panine të thekura e kripë (rrallë, ditën e rrogave, menuja ishte disi më e pasur)... ... Më 20 maj 2016 unë e kam “sebepin” për të pirë një gotë dhe nuk do të më duhet të pyes “kush e ka ditëlindjen”. Atë gotë do ta trokas tek me vetmja fotografi që kam me Niko Nikollën, në 85 vjetorin e lindjes së tij... Robert GORO

Ndaje me miqte