0030 210 33 18 483

Nikollaq Neranxi: &ldquoTë dalim nga rutina&rdquo. Më 14 gusht miting i madh në Himarë

TRIBUNA 18 Korrik 2016

Të dielën, banorë të Himarës që jetojnë në Greqi, kanë diskutuar me shqetësim të lartë në një takim në Athinë, ngjarjet e fundit në qytetin e tyre, ku gjatë debateve me autoritetet vendore banorët janë dhunuar prej personash të ardhur nga larg dhe që nuk kanë asnjë lidhje me Himarën. Reagimet e banorëve janë krijuar pas shpalljes së një projekti prej qeverisë dhe të mbështetur nga bashkia, që parashikon ndërtimin e një rezorti turistik në një prej lagjeve më karakteristike të qytetit, në zonën e molit dhe prishjen e banesave shekullore. I ftuar në takimin e Athinës ka qenë edhe biznesmeni i njohur dhe ish deputeti Nikollaq Neranxi, me cilësinë jo vetëm të një figure publike nga Himara me rrezatim të gjerë, por edhe si drejtor ekzekutiv i Shoqatës Komuniteti Himariot. Në takimin e organizuar nga shoqata Bashkimi Himariot, ka përshendetur edhe kryetari i kësaj shoqate për Amerikën, Pater Karavella. Në njoftimin për takimin thuhet se “u vendos që me 14 gusht të bëhet një miting i madh në Himarë ku do të kundërshtohet me forcë çdo lloj plani rregullues i cili bëhet pa pyetur banorët si dhe çdo lloj grabitje prone dhe cënim i identitetit dhe historisë tonë”. Më poshtë po botojmë fjalën e Nikollaq Neranxit mbajtur në takimin e të dielës. “Të dashur bashkëqytetarë të Himarës! Ju, njerëz të mirë e punëtorë që asnjëherë nuk i ratë në qafë askujt, por punuat me djersë e ndershmëri si në Himarën tuaj, ashtu edhe në emigracion. Ju të gjithë keni krijuar tashmë një jetë të re këtu dhe keni rutinën e ditës tuaj prej vitesh, duke punuar dhe duke u kujdesur për familjet tuaja. Por kam ardhur t'ju them se është momenti që të dilni nga kjo rutinë. Jo unë Nikollaq Neranxi, sepse unë jam si ju, por historia ju thërret dhe ju duhet të lini çdo gjë e të vini në tokën dhe në shtëpitë e paraardhësve tuaj. Pushteti qendror dhe ai vendor, thonë që po bëjmë investime, por deri tani kanë zbuar nga dheu i tyre disa familje, projektet nuk na i tregojnë dhe na akuzojnë pastaj se nuk i duam investimet! Nuk është e vërtetë, ne i duam investimet, por nuk duam dhe nuk pranojmë grabitjen dhe denigrimin që ata kanë në plan të bëjnë, me forcën që ju jep pushteti. Prandaj duhet të vini pranë atyre pronave që janë bërë me djersë e me gjak nga gjyshërit e stërgjyshërit tanë, të cilët në shumë raste lanë kockat nëpër miniera e punë të rëndomta nëpër botë. Ajo tokë e shenjtë ku ne patëm fatin të lindim, ato gurë e sokakë që rrefejnë historinë tonë, ai emër i madh, ajo markë që e njohu bota edhe atëherë kur Shqipëria nuk ishte akoma shtet, Himara jonë pra, sot është në rrezik! Mafia e pronave, e ndihmuar nga pushteti, ka një plan të kobshëm, ajo do të na grabisë pronat, të kompensojë tek tuk me ndonjë qindarkë dhe të na përzërë nga ai vend, duke sjellë buldozerë pranë vatrave tona që në ditët e para të shtatorit. Krahas fitimeve marramendëse që do kenë duke investuar në trojet tona, ata do të kryejnë edhe një mision tjetër, atë të zhbërjes së atij vendi, pa lënë nam e as nishan. Ata kanë kohë që na provokojnë, kanë prekur objektet e kultit, duke fyer ndjenjat tona, besimin tonë ortodoks pas të cilit zona jonë është shumë e lidhur e që me siguri dikë edhe mund ta bezdisë. Këto kohë ne nuk kemi ndenjur duarkryq. Si fillim i kemi bërë me dije institucioneve dhe përfaqësive të huaja me anë të një letre të firmosur nga të gjithë banorët, se ne nuk jemi dakord me ato që po ndodhin në Himarë. Kam një lajm të mirë për ju, nga përgjigjet që kanë dhënë dhe nga disa takime që kemi zhvilluar, të gjitha forcat politike, me përjashtim të atyre që janë në pushtet, na kanë premtuar që do të jenë krah nesh në luftën tonë. Ambasada të rëndësishme në Tiranë, kanë treguar që janë në krahun tonë. Ambasadorja greke në Tiranë, na premtoi se do të jetë në ndihmë të komunitetit himariot. Të gjithë janë me ne, por ne duhet të jemi më të bashkuar se kurrë, sepse pavarësisht përkrahjes, lufta është e jona. Prandaj po e përsëris vëllezërit e mi: Hajdeni në Himarë! Duhet të jemi aty të gjithë, të bashkuar, për të shpëtuar Himarën. Pa dashje ne po hyjmë në histori, nesër do të flitet për ne. Varet nga ju nëse do flitet për mirë apo për keq. Ta dini mirë, se ai që shkatërron dhe ai që nuk reagon teksa kjo ndodh, janë njëlloj fajtorë! Nuk ka më kohë vëllezërit e mi! Himara është në rrezik. O sot o kurrë! Të gjithë bashkë, për të shpëtuar vendlindjen dhe historinë e saj! Kjo është një luftë e drejtë dhe dinjitoze, prandaj ne do ta fitojmë!".

Ndaje me miqte