0030 210 33 18 483

Nis evakuimi i kampit të idomenit

26 Mars 2016

Autoritetet greke kanë filluar një aksion për evakuimin e refugjatëve nga kampi Idomenit. Që nga e premtja në mbrëmje në kampin e Idomenit ka rreth 300 refugjatë më pak. Kaq është numri i atyre që kanë pranuar të largohen e të vendosen në qendra të tjera, më të organizuara. Refugjatët thonë se po largohen ngase duan të jetojnë në kushte më të mira, për sa kohë që do të shqyrtohet kërkesa e tyre për t’u sistemuar në një vend tjetër të Bashkimit Europian. Vullnetarë të komisariatit të OKB-së për refugjatët (UNHCR), përpiqen t’u mbushin mendjen refugjatëve që të largohen nga Idomeni. Ata argumentojnë se kufiri me Maqedoninë nuk ka për t’u hapur dhe se për sa kohë ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në Idomeni, kushtet e jetesës do të jenë gjithmonë e më të vështira. “Këtu është një vdekje e ngadalshme. Nuk erdhëm deri këtu që të mbetemi në baltën e Idomenit. Dua t’u ofroj një shans të dytë fëmijve të mi dhe familjes time”, citohet nga mediat Ahmedi, një refugjat nga Halepo i Sirisë. “Deri dje protestoja bashkë me të tjerët mbi shinat e trenit. Tani jam i sigurt se kufiri nuk do të hapet dhe duhet të bëj diçka për veten. Prandaj vendosa të largohem”, shton Hasani, një student i juridikut nga Damasku. Megjithatë, vetëm 400 refugjatë kishin pranuar të largohen, deri në orët e para të së shtunës. Ata duan ta çojnë deri në fund aventurën e tyre në Greqi, duke shpresuar se në një të ardhme të afërt ëndrra e tyre për të shkuar në Europë do të realizohet. Në të kundërt, ata mendojnë të kthehen në Siri, ku sipas tyre, gjendja është më e mirë se në Idomeni. "Nëse shkojmë një kamp ushtarak mendoj se do të qëndrojmë për shumë kohë aty. Unë dua të shkoj te familja ime. Po të mos më dërgojnë te familja ime, do të kthehem në Siri. Në Siri gjendja është më e mirë se këtu". Erërat e fuqishme që kanë fryrë ditët e fundit në Idomeni e kanë bërë edhe më të vështirë qëndrimin e refugjatëve, mes të cilëve shumë fëmijë të vegjël. Megjithatë, pjesa më e madhe e 12.000 refugjatëve shprehen të vendosur që të qëndrojnë në Idomeni. Madje ata po vazhdojnë edhe protestën mbi shinat e trenit, duke mbajtur të bllokuar për ditë të tëra linjën hekurudhore që lidhe Greqinë me FYROM. Nga ana tjetër, autoritetet greke shpresojnë që të arrijnë lehtësimin e mbipopullimit në Idomeni. Ministri i rendit tha se largimi i refugjatëve do të bëhet vetëm me dëshirën e tyre dhe se nuk do të përdoret asnjë lloj force për t’i bindur. Tribuna

Ndaje me miqte