0030 210 33 18 483

Nis lëshimi i çertifikatave nga konsullatat shqiptare në Itali. Pse jo ende në Greqi

18 Janar 2016

Në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Milano, u inaugurua shërbimi i lëshimit të çertifikatave të gjendjes civile, shërbim i cili do të ofrohet tashmë në të gjitha zyrat konsullore pranë Ambasadës së vendit tonë në Romë dhe Konsullatave në Bari dhe Milano. Ministria e Punëve të jashtme njofton se lëshimi i çertifikatave të lindjes, familjare, të martesës dhe të vdekjes për shtetasit shqiptarë, rezidentë në territorin italian, u mundësua falë bashkëpunimit me qeverinë italiane në kuadër të angazhimit të shtetit shqiptar për të reformuar shërbimet konsullore. Sipas MPJ, kjo reformë ka për objektiv kryesor përmirësimin dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve konsullore, përshpejtimin e procedurave, si dhe uljen deri në masën 50% të tarifave konsullore për shtetasit tanë. MPJ synon që brenda vitit 2016, në kuadër të projektit të “Konsullatës Digjitale”, një pjesë e mirë e shërbimeve konsullore të ofrohen brenda një platforme online, duke modernizuar kësisoj shërbimin, duke rritur transparencën, aksesin ndaj informacionit dhe duke shkurtuar procedurat. Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Ministri Bushati nënvizoi se, “Ofrimi i këtij shërbimi pranë zyrave tona konsullore në Itali përbën një hap të rëndësishëm për bashkëkombasit tanë, në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe transparente dhe sa më pak të kushtueshme. Njëkohësisht, është shprehje e marrëdhënieve tona të shkëlqyera me Italinë si mikëpritëse e një numri të madh shtetasish shqiptarë. Ky shërbim përbën një formë moderne të asistencës ndaj qytetarëve tanë, të cilën synojmë ta shtrijmë dhe në vende të tjera”. Pse jo ende në Greqi Lëshimi i çertifikatave shqiptare në vendet ku jetojnë emigrantët është një hap jashtëzakonisht pozitiv, po të marrim parasysh se çfarë telashi ka qenë deri më tani m arrja e një çertifikate në Shqipëri, që kushtonte kohë dhe para. Për fat të keq, kjo ende nuk është mundësuar të bëhet nga autoritetet konsullore shqiptare në Greqi. Ambasadori shqiptar në Athinë Dashnor Dervishi ka bërë disa demarshe pranë autoriteteve kompetente greke, të cilat ende nuk kanë dhënë një përgjigjje pozitive. Në rrugë jo zyrtare, Athina thotë se shkaku qëndron në mungesën e sigurisë të çertifikatave dhe faktit se shumë prej emigrantëve shqiptarë në Greqi kanë ndërruar emrat. Por autoritetet greke i mëshojnë më shumë një fakti tjetër: Ndërrimit të emrave nga persona të inkriminuar, që duke patur një emër tjetër i shpëtojnë “darës” së drejtësisë. (Për hir të së vërtetës, duhet thënë se këtë fakt e ka trajtuar edhe qeveria Rama, me të ardhur në pushtet. Atëherë u ndalua të bëheshin korrigjime në çertifikata, pikërisht pse kishte patur shumë ndryshime emrash pa kriter, sidomos nga persona që kishin probleme me drejtësinë, brenda dhe jashtë vendit). Por gjithsesi, arsye të tilla, edhe pse objektive, nuk besojmë se duhet të bllokojnë një proces pozitiv, aq më tepër që pas pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike dhe liberalizimit të vizave, elementët e sigurisë në dokumentet shqiptare të identifikimit janë shtuar në maksimum. Ajo që u mbetet emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk është veçse të bëjnë durim e të presin (siç janë mësuar gjatë gjithë këtyre viteve) dhe të shpresojnë në një konkludim të suksesshëm të n egociatave midis autoriteteve shqiptare dhe greke...

Ndaje me miqte